Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka publikuar së fundmi platformën e re në të cilën nxënësit dhe studentët mund të ndjekin mësimet gjatë kohës që shkollat dhe universitetet do të jenë të mbyllura.
Portali i ri, quhet Akademia.al dhe mjafton që secili prej jush të regjistrohet fillimisht duke iu përgjigjur pyetjeve dhe duke plotësuar të dhënat që kërkohen. Me tej, mund të merrni leksione apo dhe të shkëmbeni pyetje për çdo paqartësi në lidhje me mësimin.
"900 leksione në matematikë dhe shkenca, për klasat 6-12 i gjeni në platformën mësimore Akademi.al.
Regjistrohuni sa më parë dhe aksesojini ata. Nëse keni pyetje, na shkruani këtu.
Paralelisht, pyetjet më të shpeshta që nxënësit kanë për leksione të caktuara, do t'i adresojmë me video të reja nga mësuesit dhe do të publikohen këtu."- shkruan ministrja në njoftimin e saj, ku shton se platforma do të pasurohet edhe më me materiale mësimore gjatë ditëve në vazhdim.
Vendimi për mësim virtual, u mor për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Në udhëzuesin e publikuar së fundmi, thuhet se qëllimi i mësimit në kushtet e shtëpisë “është që t’i mbajë nxënësit të angazhuar me përmbajtjen lëndore dhe përforcimin e njohurive të fituara deri tani për të mos u shkëputur nga procesi i të nxënit, deri në rifillimin e procesit mësimor të rregullt.”