Çfarë po ndodh rreth nesh

Qeveria merr të tjera masa: ‘Ndjesë 1000 herë, po kjo luftë nuk fitohet ndryshe’

Shkruar nga Anabel

12 Mars 2020

Qeveria merr të tjera masa: ‘Ndjesë 1000 herë, po kjo

Kryeministri Edi Rama, përmes një njoftimi në rrjete sociale, njoftoi rritjen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar qarkullimin ndërqytetas.

Masat e shtuara janë:

1. Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të blindohet perimetri i qarqeve Tiranë-Durrës dhe do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private e atyre të transportit ndërurban drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit.

2. Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë e Durrës si edhe transporti ndërurban mes Tiranës dhe Durrësit.

3. Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elzabasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë.

Kryeministri shtoi, “Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëtor dhe ato që transportojnë mallra.Këto masa ekstreme kufizimi të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë.”

Në vijim të deklaratës së tij, tha edhe:

Ky është një “grip” që do të prekë shumë prej nesh! 80% e atyre që do të preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë. Kjo do të thotë se gjithkush nga ne mund ta ketë, prandaj edhe pse nuk ndjejmë asgjë, na takon të gjithëve të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nesh sepse po e transmetuam tek ata u kemi bërë “peshqesh” një hall ttë madh.

Ndër ata që kanë shenja, janë shumë më pak ata që bëhen për spital sepse shumica e kalon me sikletet e një gripi të zakonshëm dhe prej atyre që përfundojnë në spital shumica shërohen, por prapëseprapë askush nga ne nuk mund dhe nuk duhet të vërë bast me probabilitetin tejet të ulët që ai/ajo apo i afërmi i tij/saj të hyjë tek ata që mund të humbasin edhe jetën! Në asnjë mënyrë jo. Kurrën e kurrës! Frikë aspak, kujdes po! Shumë fare madje!”