Lojërat Olimpike 2020 që supozohej të nisnin më 24 korrik në Tokio janë shtyrë për një datë të mëvonshme brenda verës së vitit 2021 si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Të martën, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) njoftoi se duke parë presionin e atletëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, vendosi të shtyjë eventin sportiv.
“Në rrethanat që ndodhemi dhe duke u bazuar në informacionet e OBSH, Presidenti i IOC dhe Kryeministri i Japonisë kanë dalë në përfundimin se Lojërat e Olimpiadës XXXII në Tokio duhet të riskedulohen për një datë pas 2020-s, por para përfundimit të verës së vitit 2021 për të siguruar shëndetin e atletëve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në Lojërat Olimpike,” shkruhej në deklaratën e IOC.
Kjo është hera e parë që shtyhen Lojërat Olimpike. Disa janë anulluar prej luftërave (1916, 1940, 1944).