Familja Roçi jeton në fshatin Poroçan, tre orë larg Gramshit. Pesë fëmijët ecin më shumë se 1 orë për të mbërritur në shkollë, por nuk është ky problemi i vetëm i familjes së tyre, e cila përballet me varfërinë ekstreme dhe dhimbjen e humbjes së nënës.
“Veç fatkeqësive të tjera më goditi dhe bashkëshortja. Ajo nuk ishte sëmurur asnjëherë. Morëm urgjencën në telefon, ajo thoshte që nuk vij sepse është larg dhe rrugë e keqe. Thirra disa bashkëfshatarë dhe në krahë e kemi mbajtur deri sa e nxorëm në gjysëm të rrugës. Nëse do ta kisha pasur spitalin afër, ndoshta ajo do të shpëtonte. Spitali është në Gramsh dhe duhen tre orë për të shkuar deri atje. Është e tmerrshme, sëmuren fëmijët nuk di çfarë të bëj. Më është mpirë trupi komplet. Tani është shkatërruar gjithçka dhe për fëmijët. Dëshirën e kemi pasur që t’i çojmë në shkollë, por tani nuk di se si do ta bëj realitet,” tregoi për “Fundjave Ndryshe”, kryefamiljari Guri.
Guri së bashku me pesë fëmijët qëndrojnë në një dhomë ku ndodhet vetëm një divan i shkatërruar dhe ndërkohë duhet të kujdeset edhe për nënën e sëmurë dhe për motrën e tij, e cila prej 20 vitesh është diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor.
“As banjo nuk kemi, lahemi jashtë me kanaçe në të ftohtë. Një divan kemi dhe tre flenë në të dhe të tjerët në tokë. Çimento është e ftohtë, shumë herë jemi sëmurur. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi dhe frikë natën, sepse mund të hyjnë gjarpërinj apo kafshë të egra,” u shpre Ledjani, djali i madh i familjes.
Për të ndihmuar sadopak familjen, mund të kontaktoni me “Fundjavë Ndryshe”.