Për njëri-tjetrin

Ndihmoni 77-vjeçaren që jeton e vetme me 2 vajza të paralizuara

Shkruar nga Anabel

2 Prill 2020

Ndihmoni 77-vjeçaren që jeton e vetme me 2 vajza të paralizuara

Sadetja, 77 vjeç, jeton prej vitesh në Durrës së bashku me dy vajzat e saj, të cilat janë të paralizuara për shkak të paralizës celebrale që në lindje. Ndër të tjera ato kanë shpesh kriza epileptike. 77-vjeçarja është e vetmja ndihmë për vajzat, ndonëse vetë vuan nga trompoza dhe tensioni i lartë. Megjithatë, për t’u kujdesur për Suzanën dhe Albanën, Sadetja gjen forcën dhe përpiqet të mbrohet nga koronavirusi, qoftë edhe me mjete rrethanore.

“Kur dal jashtë e mbuloj fytyrën me bluzë. Nuk kam maskë, vetëm kam sajuar një si mbrojtje me xhepat e një palë pantallonave të vjetra. Po e ruaj shumë veten se ku do i çoj gocat unë. Kam frikë se jam e vjetër dhe mos më kap. Do mbaj shpirtin gjallë se për gocat e mia kush do mendojë pastaj. Çfarë do të hanë ato?! Kemi tre ditë që hamë përshesh me fasule, se unë nuk kam me çfarë t’i ushqej,” tha e moshuara për “Fundjavë Ndryshe”.

Pamundësia për ta paguar gjithmonë qiranë në kohë, ka sjellë edhe ndërrimin e shpeshtë të shtëpive, pasi pronarët i nxirrnin jashtë duke e lënë Sadeten me vajzat në mes të katër rrugëve.

“Trembem kur vjen pronari po nuk pata lekët, sepse ai nuk lë që të kalojë dita, dua qiranë më thotë, ndryshe merr plaçkat dhe ik. Ku të shkoj unë me dy të sëmura dhe aq më tepër që është sëmundja nëpër këmbë?! Unë nuk kam ku të shkoj, do të vdesim rrugëve.”

Nëse dëshironi të ndihmoni sadopak, kontaktoni me "Fundjavë Ndryshe".