Gazetarja dhe këngëtarja Violeta Rexhepagiqi ka ndërruar jetë. Mediat në Kosovë, si Kosovarja dhe Gazeta Express, bëjnë me dije se sipas burimeve të policisë, Violeta, 45 vjeç, u gjend e pajetë në banesën e saj. Deri në këto momente, nuk dihen shkaqet që shkaktuan vdekjen.
Violeta Rexhepagiqi e nisi karrierën në muzikë që në moshë të hershme. Ajo interpretoi më shumë se 40 këngë për fëmijë si edhe u angazhua për të bërë zërat e personazheve në radio-drama.
Ajo u bë e njohur për publikun përmes grupit Vivien, të formuar në vitin 1984 në Prishtinë, ku performonte së bashku me vëllain, Armendin. Disa nga kënëgt më të njohura qenë “Romantika”, “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Nuk e di, më thuaj” etj., në të cilat Violeta dalloi për stilin e saj avangard.
Përpos muzikës, Violeta u angazhua edhe në fushën e gazetarisë. Gjatë luftës në Kosovë, ajo raportoi për News Network, WTN dhe Sky News. Pas luftës, u angazhua në Radio-Televizionin Publik të Kosovës në realizimin e emisioneve dokumentarë dhe që prej 2010-s shkruante tekste këngës dhe kompozonte.
Ngushëllime familjarëve!