Universiteti

Studentët i dërgojnë letër të hapur Ministrisë së Arsimit

Shkruar nga Anabel

20 Prill 2020

Studentët i dërgojnë letër të hapur Ministrisë

Në një njoftim në Facebook, Unioni i Këshillave Studentorë njofton se bazuar në një pyetësor të realizuar më parë, u pa e nevojshme kërkesa drejtuar Ministrisë së Arsimit për përgjysmim të tarifave shkollore.

“Situata aktuale mjaft e vështirë ka prekur çdo hallkë të ekonomisë, ku më në vështirësi janë gjendur familjet shqiptare, e për më tepër familjet ku ka studentë. Tarifa e shkollimit është e paarsyeshme dhe e pamundur të paguhet në një situatë të tillë.
Nëpërmjet kësaj letre të hapur ku shpjegojmë dhe arsyet e qëndrimit tonë Unioni i Këshillave Studentorë fton Institucionin e Ministrisë së Arsimit të marrë seriozisht kërkesat reale dhe mjaft të nevojshme nga studentët.” – shkruhet në postim.

Në letrën drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, studentët kërkojnë:

- përgjysmimin e detyrimeve të tarifave të shkollimit për të gjithë studentët për vitin akademik 2019-2020;
 -përgjysmimin e detyrimeve të strehimit për studentët që jetojnë në konvikte.

“Masat lehtësuese financiare të kërkuara më lart nuk mbulojnë efektin e krijuar nga kjo gjendje, por zbusin efektet e saj tek studentët dhe janë në raport të drejtë me shërbimet e marra prej tyre,” shkruhet në letër.

Studentët i dërgojnë letër të hapur Ministrisë

Deri në këto momente (e hënë, ora 17:00) ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, nuk ka reaguar.