Kinema & TV

Kënga e këtij filmi mund të kishte fituar Eurovizionin

Shkruar nga Anabel

22 Maj 2020

Kënga e këtij filmi mund të kishte fituar Eurovizionin

Lars Erickssong dhe Sigrit Ericksdottir (ose më mirë të themi: Will Ferrell dhe Rachel McAdams) janë dy këngëtarë islandezë që do të marrin pjesë në Eurovision me këngën “Volcano Man”. E gjitha është një trill, pasi bëhet fjalë për filmin “Eurovision Song Contest: The Story of Fire Saga”.

Kënga e këtij filmi mund të kishte fituar Eurovizionin

Filmi komedi pritet të trajtojë historinë e Lars dhe Sigrit, të cilëve u jepet mundësia që të përfaqësojnë vendin e tyre në Festivalin Europian të Këngës.

Filmi, me regji të David Dobkin dhe skenar të Andrew Steele dhe Will Ferrell, do të publikohej në maj, në të njëjtën kohë me Eurovision Song Contest 2020, por për shkak të pandemisë, premiera do të dalë në Netflix më 26 qershor.

Në maj të 2018-s, teksa përgatitej për filmin, Ferrell mori pjesë në festivalin e mbajtur në Lisbonë, Portugali për të kërkuar mbi karaktere të veçanta. Ai gjithashtu foli me këngëtarët pjesëmarrës. McAdams dhe Ferrell u panë edhe gjatë provave të Eurovision në Izrael, më 2019-n. Për fat të mirë, xhirimet përfunduan me sukses dhe askush nuk përjetoi shpërthimet e famshme vullkanike të Islandës.

Deri tani, Netflix nuk ka publikuar ende një trailer, por është mjaftuar me një interpretim të kolonës zanore “Volcano Man” nga Will Ferrell dhe Rachel McAdams. Kjo e fundit nuk këndon; pjesa e saj interpretohet nga këngëtarja suedeze Molly Sanden. Në komente online, njerëzit shkruajnë se nëse kënga do të merrte pjesë në Eurovision, do ta kishin votuar 100%.

“A jam i vetmi që e kam dëgjuar kaq e kaq herë”, “Të gjithë e dimë që do ta kishim votuar këtë këngë”, “Kjo këngë është 100 herë më e mirë se të gjitha këngët e Eurovision-it”, “Kënga bën mirë të interpretohet në Eurovision 2021” janë disa prej komenteve online.