Shqipëria

‘Përplasja’ me Erion Kriston: Ndër të tjera, Pëllumb Pipero kundërshton Komitetin e Ekspertëve

Shkruar nga Anabel

24 Maj 2020

‘Përplasja’ me Erion Kriston: Ndër të tjera,

Pëllumb Pipero publikoi një status në Facebook-un e tij personal në të cilën shkruan drejtuar Erion Kristos. “Sapo dëgjova një thirrje të z.Erion Kristo ‘të iki se i kam çarë kokën’ pas një pyetjeje se ‘kush shëron, dielli dhe ajri apo Pipero,” shkruan epidemiologu.

“Pipero dhe kolegët e tij me bluza të bardha mjekojnë, nuk shërojnë. Shërimi është ndërveprim Zot, organizëm, mjek! Ndërkohë që me dhjetëra herë kam theksuar se dielli dhe ajri ndiihmojnë shumë që të mos sëmuremi me Covid-19, pasi rrisin imunitetin, madje edhe nëse infektohemi e kalojmë shumë lehtë sëmundjen. Kam theksuar me dhjetëra herë që virusi nuk transmetohet përmes ujit, ndaj deti dhe rëra janë të këshilluara, pushimet dhe turizmi të inkurajuara.” – shkruan ai.

Në vijim, Pipero thekson se “inkurajon kujdesin” dhe shton:

“Dhjetëra herë kam theksuar se virusi nuk qëndron në ajër në mjediset e hapura, ndaj kam inkurajuar dhe shpjeguar profesionalisht pse duhet të jemi të vendosur për hapjen, e cila deri tani duhej të ishte graduale. Që këtej e tutje vetëm e kujdesshme.”

Mjeku thotë se “ka mirëkuptuar vendimet e institucioneve, shpesh kontradiktore, dhe udhëzimet e OBSH-së, shpesh të paqarta”. “Ndoshta i kam lodhur qytetarët duke më dëgjuar çdo natë, ndoshta kam përsëritur veten shpesh, por kam qenë dhe jam i drejtpërdrejtë,” shton ai.

Më tej, Pipero nuk bie dakord me vendimin e Komitetit të Ekspertëve dhe thekson se vendi duhet të “hapet” jo “një ditë, por një orë e më parë”. Kujtojmë se në Shqipëri ka nisur hapja graduale dhe lehtësim i masave kufizuese, megjithatë vendi nuk është “liruar” plotësisht; për shembull fundjava vazhdon të mbetet pjesërisht (të shtunën) dhe plotësisht (të dielën) e bllokuar, si edhe biznese të ndyshme zhvillojnë aktivitetin deri në orën 21:00.

“Ndërkohë inkurajoj Komitetin e Ekspertëve të jetë më i sigurt në rekomandimin për hapjen e plotë; situata epidemiologjike në vendin tonë dhe rajon na e mundëson këtë. Jo një ditë, por edhe një orë më parë se të tjerët të hapemi do kemi shumë më tepër përfitime, jo vetëm ekonomike, por mbi të gjitha psikologjike dhe shëndetësore!”

Statusi përfundon me:

“Kam theksuar dhe orientuar gjurmimin e rasteve përmes hetimit inteligjent dhe aplikimin e PCR, tamponit, për rastet më klinike dhe të planifikojë një studim zeroprevalente për të parë shkallën e ekspozimit e ndërtuar me strategji për të përballuar një rikthim të mundshëm të epidemisë në fund të vitit, të cilën unë nuk e besoj pak, por nuk e përjashtoj dot, krahas analizave serologjike që po vazhdojnë aktualisht. Kështu mund të kontrollojmë me sukses edhe më tej epideminë. Së bashku si deri tani do e fitojmë betejën me Covid-19. Për z.Erion, besoj të kem qenë i qartë dhe korrekt.”