Shqipëria

Dakord me ‘Të dielën pa makina’, por me këto problemet si do t’ia bëjmë?

Shkruar nga Anabel

25 Maj 2020

Dakord me ‘Të dielën pa makina’, por me këto

Gjatë një komunikimi live, kryeministri Edi Rama u shpreh dje se në fund të verës do të vihet në fuqi minimalisht e diela pa makina. Ai u shpreh se që nga tetori e deri në marsin tjetër, e diela do të jetë në funksion të mjedisit, familjeve dhe të moshuarve.

Sigurisht në këtë pikë vlejnë studime dhe sondazhe të mirëfillta në popullsi për të kuptuar nëse janë dakord qytetarët ose jo, megjithatë një sondazh i Anabel.al – media që ka shumëllojshmëri moshore, duke filluar nga moshat e reja (në Instagram) e deri te moshat e mesme (në Facebook) – mund të krijojmë një ide të qasjes mbi këtë vendim ende të pazyrtarizuar.

12% e votuesve janë dakord me të dielën pa makina, ndërkohë që 21% është dakord, por vetëm nëse “krijohen kushte të tjera për të lëvizur qytetarët lirisht”.

Siç mund ta shihni në vijim, pjesa dërrmuese, 67%, nuk është dakord duke argumentuar në mënyrë të përgjithësuar se “njerëzit duan të lëvizin edhe jashtë qytetit”.

Dakord me ‘Të dielën pa makina’, por me këto

Nuk është hera e parë që diskutohet një ide e tillë. Në fund të prillit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të sanksionojë – pra miratojë përfundimisht një vend, plan a detyrë duke i dhënë fuqi ligjore – nismën “Fundjava pa makina”.

“Në momentin që do të çlirojmë të gjitha aktivitetet dhe do t’i kthehemi jetës normale, do të sanksionojmë fundjavën pa makina, jo nga halli, por nga pasioni për t’u dhënë ajër më të mirë fëmijëve tanë,” tha Veliaj në një komunikim për emisionin “Repolitix” në Report Rv.

Fill pas komunikatës së Veliajt, ndjekës të shumtë shkruan në inbox-in e anabel_media në Instagram dhe Revista Anabel në Facebook se kjo nismë sjell probleme.

Së pari, transporti publik: Për sa kohë ka probleme, orienton një pjesë të njerëzve drejt përdorimit të makinave personale.

“Autobusët janë në kushtet minimale, nuk ndizen kondicionerët, disa dyer nuk mbyllen mirë dhe gjatë gjithë kohës janë të mbushur plot me njerëz,” u shpreh një maturante nga Tirana, që gjithashtu theksoi edhe problemin me korsitë e biçikletave. “Dy vitet e fundit të gjimnazit kam preferuar të zgjedh si mjet transporti biçikletën, por e di sa herë kam rrezikuar jetën? Thuajse çdo ditë, kjo për shkakun e të mos paturit të korsive për biçikleta. Në zonat më të popullura nuk ka policë.”

Transporti publik vërtet mund të jetë më i mirë se më parë, por duhet ende shumë punë që të “joshë” edhe njerëzit që përdorin makina për të lëvizur, qoftë për komoditet ashtu edhe për shpejtësi.

Një tjetër problem i përmendur lidhet me largimin nga kryeqyteti gjatë fundjavës. Shumë familje zgjedhin t’i largohen paksa rrëmujës së Tiranës për të pushuar diku gjetkë. E njëjta gjë vlen edhe për familjet nga qytetet e tjera që zgjedhin të kalojnë fundjavën në kryeqytet. “Një tjetër problem do ishte edhe për makinat që vijnë nga rrethet në fundjavë. Vijnë për hall dhe i duhet patjetër makina, vijnë edhe për qejf që të kalojnë një fundjavë në Tiranë me fëmijët duke qenë se rrethet nuk kanë shumë për të ofruar. Si i bie t’i sjell fëmijët për t’u argëtuar dhe të marr urbanin për të soditur?” shkroi dikush te @anabel_media në Instagram.

Me pikëpyetje janë padyshim edhe lëvizjet drejt kryeqytetit apo brenda tij për arsye të rëndësishme, si për shembull problemet shëndetësore, apo studentët që vijnë nga qytetet e tjera.

Deri në këto momente, nuk është bërë publik asnjë vendim konkret në lidhje me zgjidhjen e këtyre problematikave, pasi pavarësisht efektit pozitiv që ka pakësimi i përdorimit të makinave në mjedis, vendime të tilla duhet të merren duke patur parasysh një plan të detajuar për të gjithë problemet e mësipërme dhe jo vetëm.