Shqipëria

Nga masat mbrojtëse te fatorino: Si do të udhëtohet në transportin publik

Shkruar nga Anabel

26 Maj 2020

Nga masat mbrojtëse te fatorino: Si do të udhëtohet në

Në një intervistë për ABC News, kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qoshja, tregoi se po bëhen përshtatje bazuar te modelet europiane të transportit urban.

“Jemi munduar të bëjmë disa adaptime bazuar në modelet që janë bërë në Europë për të kuptuar kapacitetin e pasagjerëve që mund të transportojmë. Jemi ende ne pritje të protokollit zyrtar për adaptimet finale. Me rregullat e reja që do aplikojmë, s’mund të qarkullojnë më shumë se 25% e kapacitetit total të autobusit në një mjet duke ruajtur distancën e sigurisë. Për ne si operatorë është problem për sa kohë nuk kemi ende një mbështetje financiare, pasi nuk mendohet dot se mund të funksionojmë duke shfrytëzuar vetëm 25%.”

Në lidhje me përdorimin e masave mbrojtëse – maska dhe doreza- Qoshja tha:

“Përderisa transporti publik është ambient i mbyllur, do të jenë të njëjta kushte që përdoren sot në ambientet e mbyllura. [Duhen] maskat dhe dorezat patjetër. Në lidhje me fatorinon, ky është problem sepse s’mund të respektojmë distancën e sigurisë me fatorinon. Kjo mbetet për t’u zgjidhur nga çfarë do të marrim informacion nga autoritetet përkatëse.”

Në vijim, ai shtoi se ka gjasa që qytetarët të përdorin transportin urban nga fillimi i qershorit.

“Madje ne duhet të kishim filluar më shpejt akoma. Prishtina ka filluar javën e kaluar. Kështu që dhe ne duhet të rifillojmë me patjetër, por duhet që të kuptojmë skemën financiare se si do funksionojmë dhe patjetër kushtet e sigurisë që duhet të respektojmë në transportin publik.”

Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban po shihet edhe mundësia që në urban gjatë kësaj periudhe të mos ketë fatorino dhe të gjendet një mënyrë alternative për këtë.

Dy ditë më parë, kryeministri Rama u shpreh se linjat e transportit publik do të “hapen pjesë-pjesë”, por strategjia e qartë se si do të funksionojnë do të publikohet në fund të këtij muaji.

"Deri në fund të muajit do të kemi strategjinë e re të transportit publik dhe do t’i hapim pjesë-pjesë linjat e transportit publik, duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori, me një pjesëmarrje direkte të shtetit në garantimin e standardeve të reja, jo thjesht në funksion të mbrojtjes së shëndetit sot, por edhe të rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në transportin publik urban dhe ndër-urban nesër."