Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se në 24 orët e fundit janë identifikuar 25 raste të reja me Covid-19, nga të cilat 15 të prekur janë punonjës në një Call Center në Tiranë dhe janë kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë.
“Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe vatra të reja në Tiranë. Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një Call Center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës,” shkruhet në deklaratë.
Aktualisht 17 pacientë po trajtohen në spitalin infektiv, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.