Shqipëria

Harrojeni radhën dhe grumbullimet: Detajet e reja rreth transportit publik

Shkruar nga Anabel

27 Maj 2020

Harrojeni radhën dhe grumbullimet: Detajet e reja rreth transportit publik

Transporti urban është kthyer për javë me radhë në problemin kryesor të qytetarëve, të cilët po përballen me vështirësi të përditshme në lëvizje. Edhe pse kategoritë e tjera të bizneseve i janë kthyer punës, transporti urban ende jo. 

I ftuar në programin "Ditë e Re" në RTV Ora, ka qenë kreu i shoqatës së transportit urban, Rixhin Qosja, i cili zbuloi disa detaje që lidhen me hapjen e këtij sektori shërbimesh.

Ai tha se nuk ka ende një plan konkret në lidhje me datën e hapjes së transportit, por po punohet për një mënyrë operimi sa më efikase.

"Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës janë në kontakte për të gjetur këto modalitetet e fundit, për protokollin e sigurisë, për mënyrën e operimit, skemën financiare që do funksionojë ky shërbim sepse është shumë e rëndësishme dhe unë shpresoj të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Një datë fikse nuk di ta them për momentin, por diskutohet për ditët e fundit."

I pyetur për disa prej masave të sigurisë që priten të zbatohen si nga qytetarët ashtu dhe nga pala tjetër, ai tha se protokollet e sigurisë për urbanet do të përshtaten me ato që ka Europa dhe Kosova.

"Në një mjet transporti publik nuk do qarkulloojnë dot më shumë se 25 ose 30 persona në të njëjtën kohë.  Në një mjet urban që është 12 metra i gjatë qëndrojnë ulur dhe në këmbë 100 pasagjerë, ndërsa tani mendohet të reduktohet në 25-30."

A do të ketë një rritje çmimi tek bileta?! 

"Të vetmen gjë që nuk e kemi kërkuar është rritja e çmimit. Sepse edhe po të rritet çmimi nuk do mund ta kompesojë dot humbjen që ne do gjenerojmë nëse dalim në punë si normalisht. Sepse të transportosh 30% të kapacitetit do të thotë që është humbje çdo ditë. Kështu që ne kemi kërkuar disa mënyra të tjera për të bërë që ky shërbimi të mbijetojë."