Të dashur miq, pas plot 3 vitesh, ne sot duam t'ju bëjmë të ditur që rrugëtimit të "Hostel by Anabel" i ka ardhur fundi. Anabel është shumë e lumtur dhe krenare që një projekt i nisur si eksperiment në qershor të vitit 2018, duke filluar që nga ideja, vendi i transmetimit, përzgjedhja e personazheve, rezultoi në një sukses që u dëshmua si nga numri i madh i ndjekësve, po ashtu edhe nga interesi i sponsorëve, të cilët për herë të parë në historinë e argëtimit shqiptar, mbështetën një projekt të përqëndruar tërësisht në platformën e Youtube.
Kriza e fundit e koronavirusit që preku rëndë ekonominë globale, fatkeqësisht e penalizoi projektin si financiarisht, ashtu edhe nga ana fizike e krijuese, duke reduktuar sponsorizimet dhe shumë plane për aventura si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, që në koncept, ishin "lëngu" i kontentit. Rrjedhimisht, u ndjemë të detyruar që këtë projekt, ta mbyllnim pak përpara kohe, duke u mbështetur fatmirësisht në materialin e përgatitur përpara nisjes së karantinimit.
Kësisoj të hënat tuaja, nuk kanë qenë asnjëherë bosh dhe ne jemi përpjekur, edhe në kushte të vështira pune me kufizime jashtë normales, që ju të mos ndjeni në asnjë sektor të Anabel Group, krizën dhe problemet me të cilat edhe ne u përballëm si çdo biznes në botë.
Anabel falenderon të gjithë bashkëpunëtorët në këto tre sezone duke nisur nga regjisori i dy sezoneve të para, i cili e bekoi edhe me emrin "Hostel" serialin, Endri Delisula, bashkëpunëtorët e tij, stafin e palodhur të post-produksionit, skuadrën tejet profesionale të Nilor Film që ka bërë një punë të shkëlqyer këtë sezon, asistentë, kostumografë, aktorë e figurantë që kanë qenë pjesë e projekteve tona, stafin e Anabel Media, si edhe menaxheren e palodhur të produksionit Amela Çaçi për përkushtimin dhe disiplinën e pashoq të saj.
Anabel falenderon mbështetësit e saj kryesorë të cilët besuan në këtë projekt dhe na dhanë mundësinë dhe lirinë financiare që të eksperimentonim me gjini të ndryshme nga vlogging, eksperimente sociale, youtube series apo reality.
Anabel veçanërisht falenderon 5 protagonistet, Alberta Kamenica, Ana Haxhimali, Deamishel Hoxha, Megi Pojani dhe Viola Gjoleka, për përkushtimin e tyre përgjatë gjithë serialit dhe është e lumtur që ka kontribuar duke krijuar të gjitha facilitetet për rritjen e tyre profesionale dhe pasurimin e eksperiencave të tyre jetësore.
Më e rëndësishmja, Anabel falenderon qindra mijëra ndjekës që u kthyen në shikues besnikë të projektit tonë "Hostel by Anabel” dhe me angazhimin dhe interesin e tyre, na frymëzuan të vazhdonim këtë projekt dhe vazhdojnë të na frymëzojnë për projekte që gjatë këtyre viteve kuptuam se janë më afër zemrës së tyre, si seriale filmike, filma etj.
Si një kompani që shquhet për krijmtari autentike dhe inovacion, Anabel do të vazhdojë misionin e saj, për t'ju sjellë formate të tjera, të cilat falë punës së palodhur dhe leksioneve që kemi marrë në këtë rrugëtim 11-vjeçar, do të jenë gjithmonë e më shumë pranë standardeve që kërkon tregu ndërkombëtar.
Duke filluar nga një projekt i ri filmik që është "under-construction" dhe për të cilën jemi shumë entuziastë e gjykojmë se do të vendosë një standard të ri në tregun e serialeve shqiptare.
Pas një pranvere të paprecedentë në historinë e njerëzimit, ju urojmë ta shijoni sa më shumë lirinë e një vere të pakarantinuar.
View this post on Instagram