Art & Libra

Si një libër i i vetëm shpjegon kaq mirë racizmin dhe përdhunimin

Shkruar nga Anabel

5 Qershor 2020

Si një libër i i vetëm shpjegon kaq mirë racizmin dhe

“Një prej dritave më të shndritshme të kohës sonë, një grua me të vërtetë fenomenale. Zëri që arriti të gjente brenda vetes, ndihmoi breza të tërë amerikanësh dhe të gjithëve ne na shtyu që të bëheshim më të mirë,” ka thënë Barack Obama për “Unë e di pse këndon zogu në kafaz”, libri autobuografik i Maya Angelou-t.

Po të njëjtin libër, The Guardian e cilëson: “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” është më i dashuri, por njëkohësisht edhe romani më i ndaluar në historinë letrare të ShBA-së. Angelou e përball Amerikën me imazhin e vet, duke ia sfiduar perceptimet, duke ia ndryshuar peizazhin dhe teksa vitet shkonin, Angelou vëzhgonte vendin e saj dhe e shihte që ca hapa emancipimi ishin hedhur.”

Ndërsa New York Times shkruan: “Zogu në kafaz “këndon për lirinë”, shkruan Maya Angelou në poemën e saj “Zogu në kafaz” – një imazh prekës dhe i përhershëm i gjithë krijimtarisë së saj, teksa përcjell betejat për t’u çliruar nga vargonjtë e racizmit dhe të misogjinisë.”

Romani i parë autobiografik (1969) i Angelou-t përshkruan artistikisht jetën e Margaritës që nga mosha 3-vjeçare deri në të 17-at dhe ndalet te përdhunimi, braktisja nga familja e racizmi në SHBA.

Maya Angelou, shkrimtare, këngëtare, regjisore dhe aktore, ishte njëkohësisht edhe aktiviste e të drejtave të njeriut, që bashkëpunoi me Marthin Luther King Jr. dhe Malcolm X, dy nga udhëheqësit kryesorë për të drejtat e njeriut e sidomos të afro-amerikanëve.

Gjatë krijimtarisë së saj, Angelou shkroi shtatë libra të tjerë autobiografikë, përmbledhje me ese dhe poezi. Ndër të tjera, ajo dalloi si poete që vendosi në qendër të vëmendjes fuqizimin e gruas.

“[...]Të mbetesh pezull, e vetme, në litarin e nderë të papërgjegjësisë rinore, do të thotë të përjetosh bukurinë torturuese të lirisë së plotë dhe kanosjen e përhershme të mëdyshjeve. Janë të rrallë, mjaft të rrallë, ata që arrijnë t’i mbijetojnë adoleshencës. Pothuajse të gjithë dorëzohen para trysnisë së vagullt, por asgjësuese, që ushtron konformizmi i moshës së rritur. E kanë më të lehtë të vdesin e t’u shmangen konflikteve, sesa të përballojnë betejën e vazhdueshme me forcat e epërme të pjekurisë[...]” – fragment.

Si një libër i i vetëm shpjegon kaq mirë racizmin dhe
“Unë e di pse këndon zogu në kafaz” (titulli në origjinal: I know why the caged bird sings) është përkthyer nga Parid Teferiçi; Shtëpia Botuese Pegi.