Në lidhjen time të parë të fortë dhe pasionante, ai gjithmonë përdorte parfumin “Le Male” nga Jean Paul Gaultier. Kur u ndamë, kjo aromë u kthye në trishtimin tim. Në muajt e parë pas ndarjes, sa herë që e ndjeja nëpër rrugë apo dyqane, më kujtohej ai dhe arrita deri aty sa ndoqa një djalë nëpër Sephora-n e Parisit, duke e nuhatur si Jean-Baptise Grenouille, sa për t’i vjedhur një kujtim që nuk do të rikthehej më.
Pas disa kohësh, një shoqja ime më prezantoi me të dashurin e saj të ri; një njeri arrogant, prepotent, që më shumë fliste se sa dëgjonte. Ai mbante po ashtu “Le Male”. Në një klub të Tiranës, pranë tavolinës sonë të mbushur me goca, u ulën disa djem. Një prej tyre nisi të më fliste. Fliste dhe djersitej dhe qeshte me batutat e tij pa sens. Ai gjithashtu kishte aromën e “Le male”. Dalëngadalë, lidhja ime me këtë aromë nisi të zbehej. Zgjodha të mos e identifikoja më historinë time të kaluar me “Le Male” që e nuhasja kudo, pa dallim moshe dhe tek meshkuj që s’do t’u afrohesha kurrë as sikur të mbesnim vetëm ne në një ishull të shkretuar.
Po ashtu, nisa të humbja edhe dëshirën për të blerë parfume të krijuara për masën. Nuk më pëlqente ta trajtoja aromën personale si një temë bisede në treg “Chance ke vënë? Edhe unë e kam. Provo dhe Bvlgari se është shumë i mirë”. Nisa të kërkoja aroma që më identifikonin dhe më pëlqente e gjithë eksperienca e blerjes; shpjegimi nga shitësit, historia e “hundëve” pas këtyre parfumeve, më pëlqente kur krijuesit rrezikonin dhe krijonin një fantazi që ti e ndjeje sikur të përkiste vetëm ty. E kërkoja eksperiencën e parfumit të ishte e njëjtë me librin: Ta imagjinoja siç doja vetë.
Kur Illusion Liquide u hap pranë zyrës sonë të “Anabel” në Bllok, isha ndër të parat që hyra brenda dhe kujtoj që u futa me të njëjtën ndjesi dhe kuriozitet siç kam ndjerë kur zbuloja koleksionet e reja në muret e Mumok të Vienës apo Prados të Madridit.
Vetë arredimi i dyqanit ka një misticizëm në errësirën e tij dhe përdorimin e drurit, hekurit dhe ngjyrës së zezë. Nuk është një dyqan i zakonshëm plot drita që do të gjeje rëndom nëpër Tiranë. Nuk bërtet në rrugë “Më shihni mua!”, por nuk ka as modesti, sepse që në vitrinë, me parfumet e vendosura si vepra arti mbi materiale të papërpunuara druri apo hekuri, të premton ekskluzivitetin, autenticitetin dhe shijen e sofistikuar.
View this post on Instagram
Illusion Liquide do ta quaja si një Montmartre e artistëve rebelë të parfumeve. Shumica e “hundëve” që kanë krijuar këto parfume, dikur kanë punuar për kompani të mëdha, derisa siç thotë një prej tyre, i vetëquajtur “Hunda”, Alessandro Gualtieri, “krijimi i parfumeve nuk ishte më kënaqësi, por stres për të bërë diçka që nuk kalonte 60 euro kilja”. Përveç Comme des Garçons apo Costume National, duhet të jesh një adhurues i fragrancës që të njohësh emrat e tjerë.
Nasomatto dhe Orto Parisi janë të krijuara nga Gualtieri në laboratorin e tij në Amsterdam. Ai vdes të thyejë rregullat. “Dua të krijoj një parfum që është vetë inteligjent dhe nuk bëhet skllav i kuptimeve që i jap unë”. Aromat e Nasomattos arrijnë caqet e ekstremit të fantazisë. Black Afgano, një prej parfumeve më të shitura të këtij brandi, ka një përzierje të duhanit, aromatikëve të ambienteve dhe kanabisit. “Parfume të guximshëm për njerëz të guximshëm” i përcakton Gualtieri.
Kurse për linjën e tij më të re “Orto Parisi” Gualtieri rrëfen me bindje se ato pjesë të trupit që mbajnë më shumë aromë, janë ato që kanë më shumë shpirt.” E gjithë linja është ndërtuar mbi temën qendrore të kontradiktave, freskisë dhe aromës së ndenjur, tërheqjes dhe neverisë. “Na kujton ne se trupat tonë lëshojnë aroma që janë edhe të sinqerta por edhe të egra, pasqyra të shpirtit tonë” përfundon ai.
MiN New York nuk guxon aq shumë me kiminë e trupit, por nëse krijuesi do të ishte regjisor, fantazia që ka derdhur në aroma, do të çonte në filmat e Cinema Verita me detaje fëmijërie, si një banjo e freskët pas një loje përjashta, apo aroma e një dite dembele vere pa kondicioner, kur dremit me perdet hapur. Fantazia shkon deri tek aroma të një kutie me kujtime të vjetra si fotografi apo letra dashurie.
View this post on Instagram
Disa parfume tek “Illusion Liquide” të prezantohen si një mik i vjetër që të kujton kohë të bukura nga fëmijëria e rinia jote, të tjera aroma krijojnë një mister, të duhet pak kohë t’i kuptosh e t’i njohësh, por pastaj habitesh se si shndërrohen në lëkurën tënde e ti pa e ditur merr pak nga karakteri i tyre. Ka edhe aroma që janë dashuri me nuhatje të parë. Pak hedh në qafë dhe lëkura bëhet gati për një puthje e ti gati për një aventurë. “Unë nuk e kisha menduar kurrë që mimozat mund të bëheshin parfum kaq i mirë” më rrëfen vajza e cila më shoqëroi nëpër parfumeri, teksa më tregon një shishe nga Ella K.
“Ella K. është një gjendje mendore.” Kështu e përkufizon krijuesja Sonia Constant, e cila pasi punoi për vite me radhë për kompani të mëdha botërore, vendosi të shfrytëzonte gjithë eksperiencën e çfarë duhet bërë dhe çfarë s’duhet bërë, për të krijuar këtë brand për parfume për seksin femër. “Aventura është feja e saj. Liria është ekstravaganca e saj” shkruhet në faqen zyrtare të kompanisë. Parfumi me aromë mimozash është ndoshta një nga zbulimet më interesante. Mimoza në Shqipëri fatkeqësisht lidhet vetëm me festën e mësuesit dhe me një emër tashmë të vjetëruar gruaje, por në duart e mjeshtërinë e Constant, kjo lule jetëshkurtër merr vëmendjen që i takon.
Një tjetër linjë mjaft e lavdëruar në botën e ekspertëve të parfumeve është edhe ajo e Filippo Sorcinelli-it. Për të frymëzimet mund të vijnë edhe nga momente kinematografike, si psh. nga një fjali që Hannibal Lecter i thotë Klarisës në filmin e famshëm “Hannibal” të Ridley Scott “A do më thoje: Ndalo, nëse më dashuron, ndalo!” Me këtë shprehje në mendje ai krijoi UNUM, një homazh për dashurinë pa kufij, për elegancën, artin dhe luftën kundër mediokritetit njerëzor e mungesës së sofistikimit.
Marka “Escentric Molecules” nga ana tjetër, u kthye në fenomen për idenë inovative të krijuesit berlinez Geza Schoen: Të realizosh një aromë vetëm nga një molekulë. “Sa herë hedh Escentric 02, ndjej vëmendjen e njerëzve. Janë të gjithë kuriozë për aromën, joshen dhe shpërqëndrohen nga ajo “tregon një e apasionuar pas kësaj linje në një prej faqeve ku njerëz të ndryshëm shkruajnë vlerësimet e tyre te sinqerta për linjat e parfumeve. Dhe Esentric Molecules merr gjithmonë 5 yje.
Të duhen disa ditë të prezantohesh me të gjithë parfumet e “Illusion Liquide” dhe disa shkrime për historitë e secilit prej emrave që kanë krijuar këto parfume. Do të doja të flisja më shumë për Juliette Has a Gun, linja e stërnipit të Nina Riccit, e krijuar me mjeshtrin e famshëm në botën e parfumeve, Francis Kurkdijan “Një armë tundimi sepse jeta është se shkurtër dhe kënaqësitë janë të shumta” është përkufizimi i Juliette Has a Gun që në “Illusion Liquide” ka dy linja, një më ekonomike dhe një tjetër linjë më ekskluzive.
View this post on Instagram
“Liquides Imaginaires” nga ana tjetër e tejkalon fazën e tundimit dhe kërkon që parfumi të të transportojë në nivele të reja kulturore dhe shpirtërore duke nxjerrë në sipërfaqe “pjesë të shpirtit dhe destinit”.
As kokrrat e kafesë të vendosura në tavolinën në hyrje, që të ndihmojnë të mos përziesh aromat, nuk mjaftojnë për t’i nuhatur të gjitha. Edhe t'i shkruash në celular emrat e kompanive dhe ti google-osh më vonë në shtëpi për t’u dukur sa më i ditur do të të bënin edhe më injorant ndaj tyre. Çdo markë ka historinë e saj, çdo aromë është si një vepër arti ku fjalitë mediokre “ky parfum ka përzierje myshku e gjethe portokalli” vetëm sa do të ofendonin të gjithë dashurinë, eksperiencën shumë-vjeçare dhe pasionin që këta krijues kanë derdhur në çdo aromë. Eksperienca më e mirë me parfumet e “Illusion Liquide" është vetëm në lëkurë. Por jo siç i provojmë rëndom tek “Sephora” duke i sprucuar dhe i nuhatur me shpejtësi, për t’u bindur që “mban erë të mirë.” Parfumet e “Illusion Liquide" duhet t’i ndjesh, të presësh pak teksa shpërndahen nëpër lëkurë e të shohësh se si ajo aromë që të tërhoqi aq shumë kur e zgjodhe, dalëngadalë bëhet pjesë e jotja. Ti bëhesh ajo aromë dhe ajo aromë bëhet ti dhe askush tjetër nuk ngjan më me ty. Fundja, pse do ishim të veçantë nëse nuk do ishim ekskluzivë?