Me siguri e keni dëgjuar shpesh të përdoret si ofendim, shaka a diçka tjetër, por në fakt narcizmi është një nga llojet e çrregullimeve të personalitetit, një gjendje mendore në të cilën njerëzit kanë një ndjenjë të ekzagjeruar për rëndësinë e tyre, një nevojë të thellë për vëmendje dhe admirim të tepërt, kanë marrëdhënie të trazuara dhe mungesë empatie ndaj të tjerëve. (via MayoClinic)
Duhet theksuar se në aspektin psikologjik, narcizmi nuk do të thotë self-love (dashuri për veten), të paktën jo i një lloji të mirëfilltë apo të shëndetshëm. Njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim janë në fakt të dashuruar me një imazh të idealizuar dhe madhështor të vetvetes. Ata janë të dashuruar me këtë imazh, pikërisht sepse u lejon atyre t’u shmangen ndjenjave të thella të pasigurisë. Të “mbash” mashtrimet e kësaj “madhështie” kërkon shumë punë dhe këtu nisin sjelljet mosfunksionale.
Njerëzit me çrregullim të këtij lloji kanë tendencën t’ua hedhin fajin të tjerëve. Ata janë tepër të ndjeshëm dhe reagojnë keq ndaj kritikave, mosmarrëveshjeve dhe i shohin të githa këto si sulme personale. Duke kuptuar më shumë rreth këtij çrregullimi, ju mund të dalloni narcistët në jetën tuaj, të mbroheni nga lojërat e tyre të pushtetit dhe të vendosni kufij të shëndetshëm.
- Ndjenjë e theksuar e rëndësisë ndaj vetes
Madhështia është karakteristika përcaktuese e narcizmit. Më shumë sesa arrogancë apo kotësi, madhështia është një sens joreal i epërsisë. Narcistët besojnë se ata janë unik ose "special" dhe mund të kuptohen vetëm nga njerëz të tjerë të veçantë. Për më tepër, ata janë shumë të mirë për të bërë gjëra mesatare ose të zakonshme. Duan vetëm të shoqërohen me njerëz dhe vende dhe të një statusi të lartë. Narcistët gjithashtu besojnë se ata janë më të mirë se të gjithë të tjerët dhe presin të njihen si të tillë, edhe pse nuk kanë bërë asgjë të veçantë. Ata shpesh do ta ekzagjerojnë ose do të gënjejnë për arritjet dhe talentet e tyre. Kur flasin për punë ose marrëdhënie, gjithçka që do të dëgjoni është se sa ata kontribuojnë, sa të shkëlqyeshëm janë ata dhe sa me fat janë njerëzit që i kanë pranë.
- Jetojnë në një botë më fantazi që mbështet deluzionet e tyre të madhështisë
Meqenëse realiteti nuk e mbështet pikëpamjen e tyre madhështore për veten, narcistët jetojnë në një botë plot fantazi të mbështetur nga shtrembërimi dhe vetë-mashtrimi. Këto fantazi i mbrojnë ata nga ndjenja e zbrazëtisë së brendshme dhe turpit, kështu që faktet dhe mendimet që kundërshtojnë ndjenjën e madhështisë, injorohen ose racionalizohen.
- Kanë nevojë për lavdërim dhe admirim konstant
Ndjenja e epërsisë së një narcisti është si një tullumbace që gradualisht humbet ajrin pa një rrjedhë të qëndrueshme të duartrokitjes dhe njohjes për ta mbajtur atë të fryrë. Komplimenti i rastit nuk është i mjaftueshëm. Narcistët kanë nevojë për ushqim të vazhdueshëm për egon e tyre, kështu që ata rrethohen me njerëz që janë të gatshëm të kujdesen për dëshirën e tyre obsesive për pohim. Këto marrëdhënie janë shumë të njëanshme. Është gjithçka në lidhje me atë që admiruesi mund të bëjë për narcistin, kurrë anasjelltas dhe nëse ka ndonjë ndërprerje ose zvogëlim në vëmendjen dhe lavdërimin e admiruesit, narcisti e trajton atë si një tradhti.
- Ndjesia e të paturit të drejta të tepërta
Për shkak se ata e konsiderojnë veten të veçantë, narcistët presin të trajtohen më ndryshe se të tjerët. Ata vërtet besojnë se gjithçka që duan, duhet ta marrin. Presin që njerëzit përreth tyre të respektojnë automatikisht çdo dëshirë dhe tekë që kanë. Nëse nuk parashikoni dhe plotësoni çdo nevojë të tyre, atëherë jeni i padobishëm. Dhe nëse keni nerv që të kundërshtoni vullnetin e një narcisti, përgatituni për agresion dhe zemërim.
- Shfrytëzon të tjerët pa patur ndjesi faji apo turpi
Narcistët nuk zhvillojnë kurrë aftësinë për t'u identifikuar me ndjenjat e të tjerëve, për ta futur veten në këpucët e njerëzve të tjerë. Me fjalë të tjera, atyre u mungon empatia. Në shumë mënyra, ata i shohin njerëzit në jetën e tyre si objekte, sikur janë aty për t'i shërbyer nevojave të tyre. Si pasojë, ata nuk mendojnë dy herë për të përfituar nga të tjerët dhe për të arritur qëllimet e tyre. Ndonjëherë ky shfrytëzim ndërnjerëzor është me qëllim të keq, por shpesh është thjesht i pavëmendshëm dhe ndodh edhe pa kontrollin apo vetëdijen e tyre. Për ta është diçka normale. Narcistët thjesht nuk mendojnë se si sjellja e tyre ndikon te të tjerët. Dhe nëse ia vini në dukje, përsëri nuk do ta kuptojnë. E vetmja gjë që ata kuptojnë janë nevojat e tyre.
- Shpesh ngacmojnë dhe përçmojnë të tjerët
Narcistët ndjehen të kërcënuar sa herë që ndeshen me dikë që duket se ka diçka më shumë se ta, është më i famshëm apo më i suksesshëm. Ata gjithashtu ndihen të kërcënuar nga njerëz që i kundërshtojnë në çfarëdo mënyre. Mekanizmi i tyre mbrojtës është përçmimi. Mënyra e vetme për të neutralizuar kërcënimin dhe për të mbështetur egon e tyre të egër është t’i demonstrojnë atij personi se sa pak do të thotë për ta, ose të shkojnë në sulm me fyerje, ngacmim dhe kërcënime.
Burimi: Help Guide