Dizajneri i modës Kansai Yamamoto është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare.
“Në sytë e mi, babi nuk ishte vetëm shpirti eklektik dhe energjik që njihte bota, por edhe dikush që ishte gjithashtu i zhytur në mendime, i dashur dhe i dhembshur. Ai vlerësonte komunikimin dhe më mbushi me dashuri gjatë gjithë jetës sime,” tha (via BBC) vajza e dizajnerit, Yamamoto Mirai.
Dizajneri japonez ishte i diagnostikuar me leucemi dhe ndërroi jetë të martën e kaluar, tha vajza e tij në deklaratën këtë të hënë (27 korrik).
Yamamoto ishte i njohur në modë për krijimet e tij shumëngjyrëshe dhe ndërthurjen me modelet e kulturës japoneze. Kansai Yamamoto, i lindur në vitin 1944 në Yokohama, kishte në plan të studionte për inxhinieri, por hoqi dorë dhe iu përkushtua modës për t’u bërë më pas në vitin 1971, dizajneri i parë nga Japonia që shfaqej në Javën e Modës në Londër. Asokohe, shfaqja e tij u cilësua nga revista Harpers & Queen si “shfaqja e vitit, një kthesë spektakolare e ngjarjeve”.
Pas shfaqjes së suksesshme, Yamamoto nisi të bashkëpunojë me yllin e muzikës, David Bowie. Dizajneri u kujdes për stilin e tij, përfshirë këtu edhe atë të alteregos së tij, Ziggy Stardust. "Veshjet e mia u bënë pjesë e David, këngëve dhe muzikës së tij," tha Yamamoto për Hollywood Reporter në vitin 2016. “Ato u bënë pjesë e mesazhit që ai i përçoi botës”.
Bowie ishte ikona e muzikës që ndryshoi rregullat e modës së kulturës pop duke u shndërruar në muzë për artistë të mëvonshëm si Madonna, Lady Gaga, Janelle Monae, Lorde etj. Ai bashkëpunoi gjithashtu me artistë si Elton John, Stevie Wonder dhe John Lennon. Së bashku me Bowie, Yamamoto sollën një revolucion të vërtetë përmes stilit androgjen, të cilin dizajneri i ndjerë e cilësonte dikur si “një kombinim të botës së të parit dhe të dëgjuarit”.
Yamamoto kishte planifikuar një shfaqje më 31 korrik, e cila do të zhvillohet sipas deklaratës (via BBC) të ekipit të tij. Ekipi tha se ceremonia mortore ka përfunduar ditë më parë, por mund të zhvillohet edhe një ceremoni lamtumire, por nuk është vendosur ende për shkak të pandemisë.