Në një intervistë për CNBC, Bill Gates shprehu pakënaqësitë në kryerjen e testimeve për Covid-19. Themeluesi i Microsoft mendon se njerëzit duhet t’i marrin rezultatet më shpejt në mënyrë që ata të kenë mundësi “të ndryshojnë sjelljen e tyre që të mos infektojnë njerëz të tjerë”.
“Gjëja më e thjeshtë, që ka të bëjë me një marrëzi të tillë, është se ju nuk duhet të rimbursoni dikë për të bërë një test, rezultatet e të cilit duan më shumë se 48 orë të vijnë.”
Më pas, Bill Gates shton:
“Ky test është një shpenzim i kotë. Dhe për të gjithë shifrat se sa persona janë testuar, është e gjitha e kotë.”
Ai e quajti “çmenduri” të paguash për një test, rezultatet e të cilit vijnë për 3 deri në 7 ditë.
SHBA ishte e ngadaltë në fazën e testimeve në mbarë vendin, në fazat e hershme të pandemisë dhe ekspertët thonë se koha e marrjes së rezultateve ka vështirësuar aftësinë e vendit për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Brett Giroir, ndihmës sekretari për shëndetësinë në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA, bie dakord me Gates dhe mendon se testimi duhet të përmirësohet.
“Kam thënë se ne nuk do të jemi kurrë të lumtur me testimin, nëse nuk mund të marrim përgjigje brenda 24 orësh dhe do të ishte shumë mirë, nëse do të kishim pika testimi të vendosura kudo. Nuk kemi arritur akoma aty ku duam, por po bëjmë gjithçka që mundemi.”
Giroir shtoi se gjysma e testimeve të bëra në SHBA, janë kryer në laboratorë të mëdhenj dhe mesatarja e kohës së kthimit të rezultateve është 4.27 ditë, duke thënë: “Ne duhet të përmirësojmë vazhdimisht ekosistemin tonë”.
SHBA numëroi 733.243 teste në 28 korrik, që është pothuajse sasia e trefishuar e numrit të testimeve për muajin prill, sipas të dhënave nga Projekti i Gjurmimit Covid.
Gates ka dhuruar qindra miliona dollarë për trajtimin dhe hulumtimin e vaksinave për Covid-19, përmes fondacionit Bill dhe Melinda Gates.
Burimi: CNN