Hidefumi Yoshida, është një “mësues lotësh”, po, e lexuat mirë. Ai e ushtron profesionin e tij prej 7 vitesh e gjysmë.
“Puna ime është t’i bëj njerëzit të ndihen të liruar përmes lotëve. Kam bërë të qajnë rreth 50.000 njerëz gjatë kësaj kohe.”
Ai thotë se përdor filma, librat e fëmijëve dhe letrat për t’i përlotur njerëzit. Filmat që ai përdor përmbajnë tematika të ndryshme, si familja, kafshët, atletët ose natyra.
“Disa njerëz qajnë vetëm duke parë skena të bukura të natyrës.”
Klasa quhet “Rui-Katsu”, që do të thotë “kërkim lotësh” dhe është një shërbim që siguron mbështetje dhe një hapësirë të sigurt, ku njerëzit mund të qajnë.
Objektivi kryesor i Rui-Katsu është të lirojë stresin. Është e rëndëishme të nxjerrësh qoftë edhe një lot të vetëm, por sa më shumë të qani, aq më mirë do ndiheni, sipas mësuesit.
“Lotët përmirësojnë gjithashtu sistemin imunitar. Unë më përpara sëmuresha shpesh, por pasi kam nisur këtë punë dhe qaj rregullisht një herë në javë, nuk kam marrë më asnjë grip apo sëmundje”, thotë ai.
Lotët kanë avantazhe fizike dhe psikologjike. Ato mund të lehtësojnë dhimbjen dhe të përmirësojnë humorin.
“Mendoj se historikisht, japonezët kanë qenë të predispozuar të qajnë më lehtë, por kohët e fundit në shoqërinë japoneze është bërë e vështirë të qash. Shumë japonezë përpiqen të mbajnë veten.”
Që në fëmijëri ne mësohemi mos të qajmë dhe duke u rritur, mbyllemi në vetvete. Kjo bën të na akumulohet stresi.
“Disa nga klientët e mi janë në gjendje vetë-mohimi dhe të tjerë kanë kaluar shumë vështirësi në jetë. Shumica e njerëzve kanë përceptime të këqija për të qarit, prandaj roli im është t’jua heq njerëzve këtë ide që kanë se ata nuk duhet të qajnë.”
Një nga klientët e Yoshidas, shprehet:
“Nuk e dija se mund të qaja kështu. E gjeta veten papritur, të mbushur me emocione. Qava derisa ndjeva dhimbje, por më pas u ndjeva e çliruar, sikur sapo kisha bërë një banjë.”
Mësuesi i lotëve shton:
"Rui-Katsu ka edhe një avantazh shpirtëror gjithashtu. Disa klientë njohin veten në dimensione të tjera, për shembull: përloten duke parë video nga fëmijëria e tyre.”
Burimi: BBC