Një grua që zhvilloi me sukses një betejë ligjore shtatë-vjeçare për të provuar se ishte vajza e mbretit të mëparshëm të Belgjikës, Albert II, do të mësojë muajin tjetër nëse, kundër dëshirave të babait të saj, do të jetë në gjendje të përdorë titujt Lartësia e saj dhe Princesha e Belgjikës.
Delphine Boël, 52 vjeç, artiste dhe skulptore, nëna e së cilës pati një lidhje jashtëmartesore me mbretin Albert në vitet 1960, argumentoi në gjykatën e apelit në Bruksel se ajo gjithashtu duhet të jetë në gjendje të përdorë mbiemrin e babait të saj biologjik, Saxe-Coburg. Emri i vërtetë i Delphine është Jonkvrouw Delphine Michèle Anne Marie Ghislaine Boël dhe është gjysmë-motra e mbretit aktual të Belgjikës, mbretit Philippe.

Mbreti Albert, 86 vjeç, i cili abdikoi nga froni në vitin 2013, u detyrua të pranonte se ishte babai biologjik i Boël pas një testi ADN-je të kërkuar nga gjykata.
Boël, e cila ka kaluar kohë me të atin në fëmijëri, ka më shumë se 20 vite që kërkon të njihet, por kërkesat e saj u refuzuan. Ajo nisi një betejë ligjore për të provuar atësinë në qershor të vitit 2013, pasi vajza e saj, Joséphine, u shtrua në spital me pneumoni dhe ajo ndjeu mungesën e babait biologjik.

Pretendimi i Delphine mori vëmendje mediatike vjeshtën e kaluar kur gjykata e apelit vendosi që Jacques Boël, me të cilin Delphine u rrit, nuk ishte babai i saj biologjik dhe udhëzoi një ekspert për të kryer një test ADN-je.
Mbreti ra dakord të siguronte një mostër pështyme - e cila vërtetoi atësinë - pasi gjykata e njoftoi se do ta gjobiste me 5,000 € për çdo ditë që refuzonte.
Marc Uyttendaele, avokati i Delphine, tha se ajo thjesht donte të trajtohej njësoj si fëmijët e tjerë të mbretit Albert. “Titujt janë gjëra që i përkasin asaj, ashtu si u përkasin fëmijëve të tjerë të mbretit Albert. Klientja ime kurrë nuk kishte ndonjë qëllim tjetër përveçse të trajtohej saktësisht në të njëjtën mënyrë si fëmijët e tjerë të mbretit, vëllezërit dhe motra e saj.”
Ditën kur mbreti Albert u tërhoq nga froni shtatë vjet më parë, për shkak të problemeve shëndetësore, nëna e Delphine, baronesha Sybille de Selys Longchamps, dha një intervistë në televizion ku foli publikisht për herë të parë në lidhje me romancën e tyre.

"Mendova se nuk mund të bëja fëmijë sepse kisha pasur një infeksion," tha ajo për lidhjen, e cila mendohet se zgjati nga 1966 deri në 1984. “Ishte periudhë e bukur. Delphine ishte një fëmijë dashurie. Alberti nuk ishte figura e babait, por ishte shumë i dashur për të.”
Gjykata do të vendosë më 29 tetor nëse Delphine do të marrë mbiemrin e babait biologjik si edhe titujt mbretërorë.
Burimi: Guardian