Për njëri-tjetrin

Emina Çunmulaj tregon mes lotëve: ‘Lë fëmijët në shtëpi dhe kaloj kufirin në këmbë’

Shkruar nga Anabel

21 Shtator 2020

Emina Çunmulaj tregon mes lotëve: ‘Lë fëmijët

Në një intervistë me “Historia ime” në rubrikën “Historia e Fundjavës”, Emina Çunmulaj, modele dhe njëherazi filantrope dhe zëvendëspresidente e “Fundjavë Ndryshe”, foli ndër të tjera për bashkëpunimin me fondacionin.

“Pasi verifikojmë familjet që të mos jenë raste abuzive, i tregojmë Eminës historinë. Historitë janë nga më të ndryshmet, histori që për mendimin e tyre janë të fortë, që nuk e kanë shitur integritetin e tyre. Edhe pse janë të varfër, shtëpinë e kanë të pastër. Kjo që po bëjmë ne është e jashtëzakonshme dhe për një element tjetër. Jo vetëm nga ana materiale, por dhe për shpresën që u japim njerëzve.” – tha drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari.

Çunmulaj u përlot sërish teksa kujtonte familjet e varfëra nëpër Shqipëri.

“Çdo familje e ka një ndenjë të vetën. Nuk di si ta shpjegoj; është një gjë që ndodh në atë momentin kur unë jam atje. Unë këtë punë e bëj se ma thotë zemra, nuk e bëj për asnjë interes. Unë lë fëmijët e mi, e di dhe Arbri. Unë fëmijët e mi i takoj në mëngjes, i laj, u jap ushqim dhe iki. Kaloj kufirin në këmbë dhe bëj mbi 10 orë punë dhe mundohem që të shkoj në shtëpi para se të kenë fjetur.”

Emina i referohet qëndrimit në komunën e Tuzit në Malin e Zi. “Është ana e Malit të Zi dhe ana e Shqipërisë. Lë makinën në Malin e Zi dhe kaloj në këmbë. I kam të njohur të gjithë, më njohin të gjithë,” shtoi ajo.

Shtojmë se në fillim të qershorit, nisur nga rastet tronditëse të bëra publike në media, “Fundjavë Ndryshe” njoftoi do të krijojë një platformë të veçantë për vajzat dhe gratë viktima të dhunës seksuale, platformë që do të drejtohet nga Emina Cunmulaj si zëvendëspresidente.