Artikulli në vijim është shkruar nga shkrimtarja dhe gazetarja Amanda Mitchison, e cila ka intervistuar Kim Noble, një grua që ka mbi 100 personalitete. Numrat dhe datat i përkasin vitit 2011, kohës kur u krye intervista.
Piktorja Kim Noble është një grua me flokë të gjatë të gështenjtë dhe sy të shndritshëm blu. Ajo jeton në një shtëpi të vogël me tarracë në jug të Londrës me vajzën e saj 14-vjeçare Aimee, dy qen dhe më shumë se 100 personalitete.
Kim, 50 vjeç, ka çrregullimin disociativ të identitetit. Ajo është, në fakt, një numër i pacaktuar njerëzish që jetojnë brenda një trupi. Këto personalitete janë të dallueshëm nga njëri-tjetri, kanë emrat, moshat dhe temperamentin e tyre. Disa janë fëmijë. Disa janë meshkuj.
Shën.red. Sipas WebMD, çrregullimi disociativ i identitetit është një formë e rëndë e asaj që njihet si ndarje/shkëputje, një proces mendor që prodhon një mungesë lidhjesh në mendime, kujtime, ndjenja, veprime dhe ndjenjën e identitetit të një personi. Çrregullimi disociativ i identitetit mendohet se buron nga një kombinim faktorësh që përfshijnë trauma të përjetuara. Aspekti i ndarjes/shkëputjes mendohet të jetë një mekanizëm për të përballuar situatën – personi në fjalë mbyllet ose “ndahet” për të përballuar një përvojë, e cila zakonisht është tepër e dhunshme, traumatike ose e dhimbshme për t’u asimiluar nga e vetëdijshmja e tij.
Për një gazetare, kjo gjë paraqet probleme të ndryshme. Vetë Kim Noble është thjesht një emër në certifikatën e lindjes. Pra, cili version i saj po intervistohet? A po flasim me dikë? Hayley? Judy? Ken?
Rezulton se ka një protokoll: Ju takoni Patricia-n, personalitetin mbizotërues midis shumë të tjerëve në kokën e Kim-it. Patricia kujdeset për Aimee dhe sigurohet që të ketë qumësht në frigorifer. Patricia është ajo që hap derën dhe më mirëpret mua.
Shtëpia është pikturuar, e pastër dhe e rregullt. Patricia duket se pëlqen stilin urban dhe është e qetë. Jam e pasigurt për mënyrën se si t’i drejtohem personit që u ul përballë meje. A ta quaj Kim apo Patricia?
“Unë jam Patricia,” thotë ajo. “Nuk më pëlqen të quhem Kim, por jam mësuar tani.”
Sa shpesh e ndryshon ajo personalitetin? Ajo ngre supet. “Ka rreth tre ose katër ndryshime në ditë.”
Si ka qenë disa e saj sot? “Këtë mëngjes Spirit of the Water bëri dush. Njëri prej tyre po pikturonte – mund të ketë qenë Abi. Pastaj dikush po pastronte me vakum para se të vije ti.”
Një alter ego që pastron! Kjo duhet të jetë e dobishme. “Po, unë kam pastruesen time,” thotë ajo. “Por askush nuk do që të merret me kopshtin.”
Historia e Kim-it dhe gjithçka që ajo ka përjetuar është shkruar në biografinë e saj, “All Of Me”, të shkruar nga një autor anonim me emrin Jeff Hudson. Një përrallë e tmerrshme. Kim lindi në vitin 1960. Prindërit e saj, të mbërthyer në një martesë të palumtur, ishin punëtorë të një fabrike dhe kujdesi për vajzën e tyre ishte në duart e miqve dhe të njohurve vendas. Detajet e asaj çfarë ka ndodhur janë të mjegullta, por duket se që në moshë të vogël - diku midis një dhe tre vjeç - Kim pësoi abuzime ekstreme dhe të përsëritura. Në këtë pikë mendja e saj e traumatizuar u shpartallua në fragmente, duke formuar identitete të panumërta. Identitetet e reja nuk kishin kujtime abuzimesh dhe kujtimesh të këqija. Kështu ajo u mbrojt nga çfarë kishte përjetuar.
Kim performoi dobët në shkollë. Ndryshimet në kujtesën e saj u vunë re, por nuk u kuptuan. Kujtesa e dobët është një simptomë klasike e çrregullimeve të personalitetit të shumëfishtë. Kur ndodh ndryshimi nga një identitet në tjetrin, ky i fundit nuk e mban mend se çfarë ka bërë identiteti tjetër. Kim pati të tilla gjendje mendore dhe mohoi shumë ngjarje – sepse nuk i kujtoheshin vërtet – por një gjë e tillë ndikoi që te të tjerët të shfaqej si gënjeshtare.
A nuk e kuptuan kurrë prindërit e saj se diçka nuk shkonte? Patricia hap dhe mbyll sytë ngadalë dhe thotë: "Prindërit e mi ishin të zënë".
Në adoleshencë gjithçka mori të tatëpjetën. Pas mbidozave të përsëritura, Kim u mbyll në një spital psikiatrik ku vëzhgohej për vetëvrasje. Sa herë që lirohej ajo përpiqej të vriste veten. Kim zhvilloi anoreksi dhe bulimi.
Në fund të të 20-ave të saj, filloi një periudhë e qëndrueshme. Me personalitetin jashtëzakonisht të aftë, Hayley, mbizotërues gjatë orëve të punës, Kim qe në gjendje të mbante një punë si shofere për pesë vjet. Por një ditë, diçka duhet të ketë shkaktuar një ndërrim dhe një personalitet problematik i quajtur Julie papritmas u gjend duke drejtuar furgonin. Ajo mori para një varg makinash të parkuara. Kjo çoi një diagnozë skizofrenie.
Përfundimisht Kim u gjend sërish në spital dhe historia e saj mori një kthesë tjetër dramatike: Disi e gjeti veten të ekspozuar ndaj veprimeve të një rrethi pedofilikësh. Në libër, thuhet se ajo i raportoi në polici, por mori kërcënime anonime që e urdhëronin të mos fliste: “Kërcënimet e hakmarrjes u përshkallëzuan derisa një ditë një burrë i hodhi acid në fytyrë dhe dikush u përpoq t'i vinte flakën shtratit të saj teksa ajo ishte shtrirë.” Kim arriti të dilte, por shtëpia u dogj.
Patricia nuk mund të kujtojë asnjë prej këtyre ngjarjeve. E vetmja gjë që kujton nga sulmi me zjarr është momenti kur po qëndronte jashtë shtëpisë duke parë flakët. Pas zjarrit, Kim kaloi gjashtë muaj në një strehë për gratë. Këtu ajo u bë e vetëdijshme për ndryshimin thelbësor, të tmerrshëm, midis saj dhe grave të tjera: Të gjithë të tjerat e dinin se nga kush po fshiheshin. Kim mund të përballej me kërcënuesit e saj kudo në rrugë dhe të mos i njihte. Diçka duhej bërë.
Gjatë kësaj kohe, një degë e re e specialistëve të shëndetit mendor mori përsipër kujdesin e Kim. Në vitin 1995, ajo më në fund u diagnostikua me çrregullimin disociativ të identitetit dhe filloi terapinë të cilën e vazhdon ende, pa ndonjë ilaç. Trajtimi është zakonisht afatgjatë dhe i mundimshëm – mund të duhen vite për të parë sadopak një përparim. Terapisti duhet të ngacmojë personalitetet e tjera dhe t'i trajtojë individualisht, duke u përpjekur të ndihmojë secilin që të pajtohet me atë që ka ndodhur në të kaluarën e tij.
Fillimisht - si shumë prej personaliteteve - Patricia e konsideroi idenë e terapisë si diçka absurde. Por pas gjashtë vitesh terapi, ajo më në fund pranoi diagnozën - dhe aspektet e çuditshme të jetës së saj u vendosën në vend. Ajo e kuptoi pse gjithmonë humbte kujtesën dhe pse kishte përfunduar vazhdimisht në spital: Disa nga personalitetet e saj ishin shumë të traumatizuara. Judy ishte bulimike. Rebecca tentonte të vriste veten. Hayley kërcënohej sepse sulmet e acidit dhe zjarrit ishin për të.
Patricia nuk mund të përcaktojë kur ose sa shpesh ajo zëvendësohet nga një tjetër personalitet. Por ka disa faktorë që ndikojnë. Judy për shembyll shfaqet gjatë vakteve. Patricia dhe vajza Aimee u shfaqën te Oprah Winfrey. Ka disa klipe në YouTube: Patricia është ulur përpara një pjate me ushqim, shpatullat e saj pësojnë një lëkundje të vogël dhe ajo kthehet në Judy, një 15-vjeçare që beson se është e shëndoshë.
Sa herë që ka një ndërrim të personalitetit dhe Patricia rishfaqet, ajo nuk e ka idenë se çfarë ka ndodhur në mungesë të saj. Kështu që jeta e përditshme është e mbushur me çelësat e humbur, pica që mbërrijnë në shtëpi, makinë e parkuar në mënyrë misterioze kilometra larg shtëpisë.
Personalitetet e tjera kanë jetë të pavarur. Ata kanë adresat e tyre të emailit - Patricia nuk i di fjalëkalimet e tyre; ata blejnë rroba. Patricia më tregon shumë fustane. "A të duken për mua? Masa 14! Kjo do të jetë Judy."
Patricia i shet pikturat e saj. Si i menaxhon paratë? “Unë kam në kontroll kartën dhe ata nuk e dinë kodin,” thotë ajo.
Po në lidhje me seksin? Patricia qesh. “Oh, kam hequr dorë vite më parë. Çdo marrëdhënie e tillë është shumë e komplikuar.” Por jeta nuk ka qenë gjithmonë pa seks. Në vitin 1997, Kim lindi Aimee. Foshnja u mor menjëherë nga shërbimet sociale. Për vite me radhë, Patricia nuk e dinte që kishte vajzë.
Si mundet që një grua të mos e kuptojë se ka pasur një fëmijë?
Patricia ngre supet dhe duart lart. “Ishte e çuditshme. Mezi dukej barku.”
Po në lidhje me shenjën në bark nga operacioni cezarian?
Patricia prek barkun e rrafshët. “Nuk duket. Është mendja mbi materien.”
Kjo mund të tingëllojë e pabesueshme, por pjesërisht mund të shpjegohet me faktin se personalitetet dominuese të Kim-it kanë ndryshuar gjatë viteve. Gjatë shtatzënisë dhe lindjes së Aimee, Patricia ishte si personalitet ndihmës. Vite më vonë, kur Patricia pranoi që Aimee ishte vajza e saj, menjëherë e dinte se kush ishte babai.
Në libër shkruhet: "Unë mund të mos kem qenë atje për të lindur Aimee, por unë u ngjiza atë". Patricia kontaktoi babanë e vajzës për t’i thënë, por ai kurrë nuk ka qenë i përfshirë në edukimin e saj.
Gjatë shtatzënisë, një personalitet i quajtur Dawn ishte përgjegjës. Por pas traumës të shkaktuar për shkak të marrjes së foshnjës, Dawn u tërhoq dhe Hayley kaloi në pozicion dominant. Ishte Hayley ajo që filloi procedurat ligjore për të kërkuar kthimin e Aimee; më pas, Bonny, një personalitet më i shkathët, u mor me betejat nëpër gjykata.
Duket e habitshme që dikujt me shumë personalitete mund t'i besohet kujdesi i një foshnje, por Patricia thotë se "trupi" - personalitetet kolektive të Kim Noble - nuk do të lejonin kurrë që Aimee të dëmtohej. Ndërsa mendja e Kim, ndonjëherë, zotëron një instinkt të caktuar për vetë-kujdesin.
Kur përfundimisht u lejua të takonte Aimee, vetëm Bonny dhe Hayley dhe personalitetet e tjera përgjegjëse të vijës së parë dolën në pah. Pas muajsh nën vëzhgim, Aimee u lejua të jetonte me nënën e saj nën një urdhër kujdesi.
Gjithçka ka shkuar mirë. Më pas, urdhri për kujdesin u hoq. Aimee është e zgjuar, vajza më e njohur në shkollë dhe jashtëzakonisht e patundur. “Është e emocionuese apo jo?” thotë Aimee. “A t’i vështirëson gjërat një nënë me shumë personalitete? Nuk ka disavantazhe, përveç faktit që ajo nuk di të gatuajë dhe mund ta lërë sobën ndezur.”
A është ndonjëherë acaruese? "Mund të jetë. Kur jam duke biseduar me personalitete të tjera dhe vjen personaliteti kryesor, them: Po unë nuk e kam përfunduar atë që po thoja!”
Përsa i përket personaliteteve, Aimee është në gjendje t’i identifikojë thjesht me një shikim. Disa janë fare të lehtë për t’u kuptuar – Ken, i cili është gay, i kthen flokët mbrapa dhe i mban shpatullat e tendosura nga pas.
A ka ndonjë personalitet që nuk i pëlqen? "Ka disa që dalin më shpesh, kështu që unë i njoh më mirë. Judy, duke qenë se është 15 vjeç, flet me mua në një mënyrë miqësore, si një shoqe. Por më pëlqejnë të gjithë.”
Qëllimi përfundimtar me këtë terapi është që mendja e pacientit të integrohet dhe të bëhet e plotë. Patricia kërkon vetëm të gjejë një kujtim të së kaluarës.
Që kur Patricia filloi terapinë e artit në vitin 2004, ka pikturuar më shumë se një duzinë me personalitete. Stilet, paletetat dhe aftësitë ndryshojnë jashtëzakonisht shumë. Disa piktura janë abstrakte, të tjerat më përfaqësuese. Pikturat e Ria Pratt, një personalitet shumë i trazuar, janë skica me kamxhikë dhe kafaze dhe fëmijë që përdhunohen e abuzohen.
Dr. Valerie Sinason, psikoterapistja që trajtoi fillimisht Kim, e përshkruan këtë çrregullim si një “pajisje e mbijetesës”. Ajo flet me plot admirim për mënyrën se si personalitetet e pacientëve të saj, pasi kanë hedhur pas krahëve shumë pjesë traumatike, kanë qenë në gjendje të ecin përpara. Ajo beson se këta njerëz demonstrojnë fuqi të jashtëzakonshme. “Ata mund të shkojnë më larg se njerëzit normalë.”
Kim është një rast i tillë. Ajo – ose më mirë Patricia – përfaqëson një përshtatje. Ajo ia doli t’i japë kthesë jetës së saj. Patricia thotë: “Jam e lumtur me gjithçka”.