Për njëri-tjetrin

Thirrje për ndihmë për 29-vjeçaren dhe tre fëmijët e saj të mitur

Shkruar nga Anabel

10 Nëntor 2020

Thirrje për ndihmë për 29-vjeçaren dhe tre

“Galeritë janë miniera që punojnë burrat. Ndoshta kur je brenda ajo shembet dhe të zë poshtë. Më ka marrë malli për babin. Unë do doja t’i thoja që e dua shumë dhe që do të mësoj shumë në shkollë”. Kështu e nis Flori rrëfimin e tij. Ai është djali i Rexhep Rushitit, 33-vjeçari i cili ditë më parë humbi jetën në një galeri kromi të mbyllur.

Gjatë verës Rexhepi punonte duke mbledhur bimë medicinale në mal. Ai kishte pësuar disa aksidente në miniera dhe e njihte rrezikshmërinë e tyre. Pak muaj më parë, mori 800 mijë lekë borxh me të cilat bleu një kalë për të punuar, por kali ngordhi pak kohë pasi e morën dhe Rexhepi u detyrua t’i kthehej punës në galeri për të shlyer borxhin dhe për të mbajtur familjen.

“Kishte shkuar për të punuar, por se çfarë do të ndodhte unë nuk e dija. Nuk di çfarë të bëj tani. Pa punë, pa gjë, dritat pa paguar, uji duhet paguar… shtëpinë siç e patë vetë [është] copë-copë,” tha bashkëshortja Irena.

Irena është 29-vjeçe dhe sot gjendet krejt e vetme në rritjen e 3 fëmijëve të mitur të mbetur jetimë. Vuan nga disa probleme me shikimin, por asnjëherë nuk është vizituar.

Familja Rushiti merr vetëm një ndihmë ekonomike dhe është e zhytur në borxhe. Kushtet ku Irena dhe fëmijët jetojnë janë të mjerueshme. Për të ndihmuar sadopak, klikoni këtu.