“...Dy vjet para se të largohej nga shtëpia, im atë i tha sime ëme se isha shumë e shëmtuar. [...] Gjithçka ka mbetur e ngrirë. Kurse unë kam rrëshqitur dhe vazhdoj të rrëshqas edhe tani, brenda këtyre rreshtave që mëtojnë të më japin një histori, kur në fakt nuk janë asgjë, asgjë imja, asgjë që të ketë filluar vërtet apo që të jetë përmbushur përnjëmend: thjesht një lëmsh i ngatërruar që kurrkush, as kush po shkruan në këtë çast, s’e di në përmban fillin e duhur të një rrëfimi apo është veçse një dhembje e gafrruar, pa shpëtim[...]Më duket vetja e shëmtuar, e ligë, por prapë kërkoj të më falin dashuri...” – “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” (Elena Ferrante).
Në qendër të librit “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” (La vita bugiarda degli adulti) është Xhovana, në vajzë në prag të adoleshencës. Xhovana kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit dhe lapërdhive. Ajo kapërcen sa nga njëra anë e qytetit në tjetrën, në kërkim të së vërtetës, por asnjëra anë nuk duket t’i japë përgjigje apo shpëtim. Në kërkimin e saj të dëshpëruar, Xhovana do të zbulojë jetën e dyfishtë të prindërve të saj, mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre.
Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë, njerëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten. Në çastet kur faji dhe turpi i kanosen ndërgjegjes, kur këto ndjenja tronditin bindjet për imazhin që kemi për veten, gënjeshtrat apo “përrallat e bukura” duket se na vijnë në ndihmë për të na mbrojtur nga përballja me realitetin. Rinia e trazuar, lidhjet familjare të rreme dhe mbytëse, dashuria, e vërteta lakuriqe, tradhtia, dhe jo vetëm ajo bashkëshortore, miqësitë e sëmura, krizat e identitetit përbëjnë brumin mbi të cilin Ferrante sfidon mitin e familjes së lumtur dhe na shoqëron në këtë udhëtim të vështirë rritjeje.
New York Times shkruan: “Struktura e thellë e psikikës së personazheve është e njëjta: dashuria mbetet në qendër të jetës së këtyre vajzave më shumë se ç’duhet; dashuria ngatërrohet me seksin; dëshira më shumë sesa i verbon personazhet, u rrëmben aftësinë e gjykimit dhe e vë këtë në shërbim të saj.”
The Book Reporter: “Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet.”
“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, me përkthim të Agim Doksanit, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”. Botime Pegi ka sjellë prej saj sagën e njohur napolitane me vëllimet: “Mikesha gjeniale” (2016), “Mbiemri i ri” (2017), “Histori arratie dhe qëndrese” (2017) dhe “Historia e vajzës së humbur” (2018), vëllim me të cilin Elena Ferrante ishte finaliste në Man Booker International Prize, 2016.
“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, është një nga botimet e reja që do të prezantohen gjatë Panairit të Librit (12-15 nëntor). Tituj të tjerë të rinj janë “Ndjenja e kohës” Giuseppe Ungaretti, “ Biblioteka e shpirtrave” Ransom Riggs, “Kapitulli i Xhuljanit” (Mrekullia vijon) R. J. Palacio etj.