Bota

Vaksina kundër Covid-19, Europa dhe Shqipëria: Ç’po ndodh

Shkruar nga Anabel

18 Nëntor 2020

Vaksina kundër Covid-19, Europa dhe Shqipëria: Ç’po ndodh
Ilustrim grafik realizuar nga Erblin Vukaj/ Euronews.al

Në një periudhë pandemie si kjo, organizatat shëndetësore ndërkombëtare, shtetet dhe qytetarët i kanë sytë nga vaksina kundër koronavirusit, e cila po zhvillohet nga disa kompani. Por cila është qasja e Europës ndaj vaksinës?

Vaksina e kompanisë Moderna

Bashkimi Europian ka rënë dakord për 160 milionë doza paraprake të vaksinës Moderna në bisedimet me kompaninë, të cilat mund të finalizohen së shpejti, tha të martën një zëdhënës i komisionerit të shëndetit. "Në kontekstin e finalizimit të bisedimeve ne ramë dakord për 160 milionë doza," tha zëdhënësi Stefan De Keersmaecker në konferencën e përditshme për shtyp të Komisionit Evropian. Kjo mund të jetë 80 milionë doza plus një mundësi për të kërkuar 80 milionë doza shtesë.”

"Sigurisht që ne vazhdojmë të kemi negociata dhe do të shohim se si kjo do të përkthehet në një kontratë aktuale," shtoi ai. Bisedimet u zhvilluan pasi kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna njoftoi se vaksina e saj duket të jetë 94.5% efektive.

Vaksina e BioNTech dhe Pfizer

BE do të nënshkruajë një marrëveshje për të siguruar deri në 300 milionë doza të vaksinës eksperimentale të koronavirusit të zhvilluar nga BioNTech dhe Pfizer. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit të BE, tha se marrëveshja do të autorizohet të mërkurën. Kjo vjen pas njoftimit nga dy kompanitë që vaksina e tyre eksperimentale ishte më shumë se 90% efektive. Shpresohet se vaksina do të jetë e gatshme të shpërndahet brenda disa javësh pasi të përfundojnë testet përfundimtare klinike dhe të marrë miratimin e rregullatorit.

Marrëveshja me CureVac

BE ka përfunduar kontrata të shumta për vaksinat, duke përfshirë një që u njoftua të hënën me CureVac, një kompani europiane që po punon gjithashtu.

Marrëveshja me AstraZeneca

Në fund të gushtit, BE njoftoi se ka negociuar në emër të shteteve anëtare të BE-së me kompaninë farmaceutike AstraZeneca për blerjen e një vaksine kundër Covid-19, e cila po zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Vaksina do të jepet te vendet anëtare si edhe do të dhurohet te vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme si edhe vendeve të tjera të Europës.

Shqipëria dhe vaksinimi

“Një iniciativë është iniciativa botërore e COVAX, një iniciativë e shumë vendeve dhe shumë partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë në fushën e vaksinimit nën udhëheqjen e OBSH. Ne do të zgjedhim atë vaksinë që është efikase dhe e sigurt”, u shpreh në gusht Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik. Shqipëria do ta sigurojë vaksinën kundër Covid-19 përmes OBSH-së dhe është në bisedime me shtete të tjera.

Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, në fund të shtatorit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhën vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si  mbi 80 shtete të tjera në të gjithë botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian.

“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër Covid-19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.

Burimet: Euronews, Guardian, European Commission, A2CNN, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale