High Tech

TikTok dhe të dhënat private të fëmijëve: 12-vjeçarja kërkon të hedhë në gjyq platformën!

Shkruar nga Anabel

31 Dhjetor 2020

TikTok dhe të dhënat private të fëmijëve:

Një vajzë 12-vjeçare shpreson të marrë masa ligjore kundër TikTok, për shpërndarjen e një videoje, me pretendimin se kompania përdor të dhënat e fëmijëve në mënyrë të paligjshme.

Një gjykatë ka vendosur që vajza mund të mbetet anonime, nëse çështja vazhdon.

Veprimi po mbështetet nga Anne Longfield, komisionerja e fëmijëve për Anglinë. Ajo beson se TikTok ka thyer ligjet për mbrojtjen e të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE.

TikTok tha se kishte "politika të fuqishme" për të mbrojtur fëmijët dhe nuk lejonte që fëmijët nën 13 vjeç, t’i bashkoheshin platformës.

Zonja Longfield shpreson që çështja të çojë në masa më të mëdha mbrojtëse për fëmijët nën 16 vjeç, që përdorin TikTok në Angli dhe më gjerë.

Ajo beson se aplikacioni mbledh dhe përpunon të dhënat e fëmijëve për t’i furnizuar ata me video, në bazë të algoritmeve që ka. Kështu ata marrin vëmendjen e këtyre shikuesve “të vegjël” dhe gjenerojnë të ardhura nga reklamat.

Komisionerja i tha Gjykatës së Lartë në Londër se ajo shpresonte që do të lëshonte një urdhër, që e detyron firmën të fshijë të dhënat e fëmijëve.

Sidoqoftë, fokusi i seancës paraprake ishte të vendoste nëse vajza 12-vjeçare mund të bënte një kërkesë në mënyrë anonime apo jo.

Z. Justice Warby gjykoi se vajza rrezikonte të ngacmohej në internet nga fëmijët e tjerë dhe nga përdoruesit e TikTok, nëse zbulohej identiteti i saj.

Ai tha se ajo mund të përballet me "reagime armiqësore nga influencuesit e rrjete sociale, të cilët mund të ndiejnë se statusi i tyre ose të ardhurat e tyre janë nën kërcënim".

Në vitin 2019, TikTok u gjobit me 5.7 milionë dollarë nga Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA, për trajtimin e të dhënave të fëmijëve.

Në një deklaratë, TikTok tha:

"Privatësia dhe siguria janë përparësitë kryesore për TikTok dhe ne kemi politika, procese dhe teknologji të fuqishme në vend për të mbrojtur të gjithë përdoruesit, dhe përdoruesit tanë më të vegjël në veçanti. Jemi të vetëdijshëm përgjykimin e Gjykatës së Lartë dhe aktualisht po shqyrtojnë implikimet e tij."

Kushtet (Terms & Conditions) e aplikacionit tregojnë se shërbimi nuk është i disponueshëm për njerëz nën-13 vjeç dhe të gjithë përdoruesve u kërkohet mosha kur regjistrohen.

Mëpas, profilet rishikohen dhe hiqen në mënyrë aktive llogaritë që duket se përdoren nga fëmijë nën-13 vjeç.

Burimi: BBC