KORONAVIRUS

Shqipëria siguron zyrtarisht 500,000 doza vaksinash nga Pfizer

Shkruar nga Anabel

1 Janar 2021

Shqipëria siguron zyrtarisht 500,000 doza vaksinash nga Pfizer

“Në prag të ndërrimit të viteve, Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer,” u shpreh kryeministri Rama në një deklaratë për mediat.

Ai tha (via Euronews.al) se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza nga Pfizer dhe është në diskutime për të tjera doza nga Pfizer dhe AstraZeneca.

10,750 dozat e para do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të janarit, më tej 30,250 doza do të vijnë në shkurt dhe të tjerat me radhë në bazë të planit të vaksinimit. Rama shtoi se është siguruar edhe një marrëveshje me dy vende të cilat do të mbështesin Shqipërinë me 9,000 doza të vaksinës Pfizer deri gjysmën e parë të janarit.

Në vijim të komunikimit, u shpreh se vendimi i Bashkimit Europian, në bazë të së cilit vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin dozat e vaksinave që teprojnë, ishte diskriminues ndaj Ballkanit, ishte i papranueshëm moralisht, i pakuptueshëm politikisht dhe i pajustifikueshëm logjikisht.

“Si njeri ndihem i indinjuar, si europian ndihem i turpëruar e si kryeministër ndihem më i motivuar se kurrë që shqiptarët mos të ndihen të përjashtuar nga fushata e vaksinimit,” tha ai. Kryeministri theksoi se Shqipëria do të ndihmojë edhe Kosovën.

Fillimisht do të vaksinohen bluzat e bardha, mësuesit, efektivët e policisë, moshat madhore duke nisur nga 75 vjeç e më pas duke vijuar dhe grafikun e përgatitur për moshat në ulje.

Fushata e vaksinimit do të quhet “Shqipëria buzëqesh”. Vaksinimi, jo i detyrueshëm, por i rekomandueshëm, nis këtë muaj dhe është falas.

Vaksina e Pfizer/BioNTech, mbi 90% efektive, është ndërtuar me teknologjinë mARN, e cila ndihmon trupin të njohë atë që njihet si proteina “spike” e koronavirusit, e cila lejon virusin të hyjë në qelizat e trupit. Ndërsa vaksinat e tjera marrin informacion gjenetik nga një virus dhe e kultivojnë atë në një qelizë njerëzore, metoda mARN thjesht kërkon kodin gjenetik të virusit, duke shkurtuar kështu procesin e prodhimit.

Shqipëria siguron zyrtarisht 500,000 doza vaksinash nga Pfizer