“Asgjë mos dëshiro e asgjëje mos iu tremb. Mos shpreso më kot dhe as mos u mërzit. Prano që gjithçka vjen e shkon, madje qetësisht, ashtu siç pranojmë ndryshimet e motit me ditë të stuhishme e me ditë të ngrohta. Dhe në këtë paqe me veten, lëre mënjanë atë pjesën që quhet UNI, që të dekompozohet, të zhbëhet, derisa të humbasë në universin e pafund. Mbi të gjitha, mos lakmo. Dhe, për më tepër, mos u ligështo!” – fragment nga “Saga e familjes Maia” (Os Maias), José Maria Eça de Queirós.
“Saga e familjes Maia” është një klasik i letërsisë portugeze, më i njohuri i shkrimtarit José Maria Eça de Queirós, botuar për herë të parë në vitin 1888. Ngjarjet e romanit zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në të tregohen peripecitë e familjes aristokrate Maia në tri breza, deri te pinjolli më i fundit i saj.
Libri me një fjali mund të përmblidhet si një roman epik portugez i shekullit XIX, që kthehet në një rrëfenjë të çuditshme rënie e rrënimi.
I konsideruar si “Libri më i mirë i romancierit më të mirë portugez” nga shkrimtari nobelist José Saramago, “Saga e familjes Maia” është një roman klasik i letërsisë portugeze, me një atmosferë dikensiane, me një stil realist alla Flaubert dhe Zola e me një subjekt të denjë për tragji-komeditë shekspiriane.
José Maria Eça de Queirós ishte shkrimtar, diplomat dhe gazetar portugez. Si shkrimtar ai ishte i përkushtuar ndaj reformave shoqërore që çuan në futjen e natyralizmit dhe realizmit në Portugali. Shpesh është konsideruar si romancieri më i mirë portugez i shekullit XIX.
“Saga e familjes Maia”, i përkthyer në shqip nga Ilirjana Agalliu për shtëpinë botuese “Pegi”, rrëfen kalimin e pandalshëm të kohës, kauzat e humbura dhe dekadencën e kulturës.