Kosova

Kosova voton: Ç’po ndodh me situatën e zgjedhjeve

Shkruar nga Anabel

14 Shkurt 2021

Kosova voton: Ç’po ndodh me situatën e zgjedhjeve
Foto: Visar Kryeziu/AP

Kosova po zhvillon zgjedhje të parakohshme parlamentare për të formuar një qeveri të re mes pandemisë së koronavirusit, një rënieje ekonomike dhe negociatave të bllokuara me Serbinë. Ulja e papunësisë dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten sfidat më të mëdha.

Afro 1.8 milion njerëz me të drejtë vote do të zgjedhin 120 ligjvënës midis më shumë se 1,000 kandidatëve të 28 grupimeve politike. Rreth 100,000 shqiptarë të Kosovës në diasporë gjithashtu kanë të drejtë të votojnë me postë. Të drejtën për të votuar e kanë edhe të infektuarit me Covid. Grupe të posaçme kanë shkuar pranë banesave ku ndodhen personat e karantinuar ose në spital për t’iu mundësuar votimin.

Zgjedhjet e parakohshme u caktuan pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme votën e një ligjvënësi të dënuar për “mashtrim me subvencione”, Etem Arifi, që ndihmoi në konfirmimin e Kabinetit të Kryeministrit të Përkohshëm Avdullah Hoti të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kabineti u emërua në qershor pasi Albin Kurti i partisë Lëvizja Vetëvendosje u hoq si kryeministër.

Bashkimi Europian ka dërguar një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve në Kosovë për të monitoruar votimin.

Kosova voton: Ç’po ndodh me situatën e zgjedhjeve

Zgjedhjet e sotme duhet të krijojnë mundësinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Për këtë post, kandidaturën e kanë shpallur Vjosa Osmani që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosja dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, i cilësoi zgjedhjet në Kosovë si “vendimtare”. “Një ditë e madhe për Kosovën! Urojmë për një garë të qetë e qytetare siç e meritojnë qytetarët kosovarë. Kjo është një kohë vendimtare për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e kudo. Një kohë për t’i treguar Europës e botës maturi e mençuri!” shkroi ajo në Facebook.

Burimet: Zëri i Amerikës, Euronews, Radio Evropa e Lirë