
Ditën e djeshme Kosova zhvilloi zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të formuar një qeveri të re mes pandemisë së koronavirusit, një rënieje ekonomike dhe negociatave të bllokuara me Serbinë.
Me mbi 92.09% të votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve , 47.66% të tyre janë për Vetëvendosjen, 17.35% e votave janë për Partinë Demokratike të Kosovës, 13.39% për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe 7.54% për Aleancën e të Ardhmes së Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Avdulla Hoti, në një deklaratë për mediat, tha se pranon humbjen dhe garantoi një tranzicion normal të pushtetit.
"Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha zoti Hoti.
Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, u shpreh se "Lidhja Demokratike e respekton rezultatin e zgjedhjeve, sido që të jetë" dhe "në vijim, do të ketë një analizë të thellë të tyre".
Enver Hoxhaj, kreu i PDK-së, uroi Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe deklaroi se "partia e tij nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës".
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mbrëmjen e djeshme tha "se kjo është një ditë e jashtëzakonshme për të ardhmen e shtetit të Kosovës".
“U vërtetua se zgjedhjet ishin referendum. Kanë qëndruar me orë të tërë në acar për të votuar. Ky referendum për drejtësi dhe kundër kapjes së shtetit u fitua, është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nesër fillon një ditë e re. Na presim shumë angazhime dhe shumë punë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është as për mua dhe as për Vetëvendosjen, por është për ju.”
Ndërsa, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se "zëri dhe vota e qytetarëve "kumboi" si kurrë më parë.
“Jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që e kemi si rezultat i besimit të madh që na keni dhënë, por besimi juaj po ashtu do të jetë udhërrëfyesi ynë në këtë udhëtim. Përgjegjësia që na keni veshur është po ashtu një nder i madh se së bashku po vijojmë punën dhe zhvillimin e demokracisë”, tha ajo.
Mbrëmjen e djeshme, qytetarët e Kosovës filluan festimet për rezultatin e zgjedhjeve edhe pse zyrtarët e Vetëvendosjes u bënë thirrje njerëzve të qëndronin në shtëpi dhe të mos kishte grumbullime, për shkak të pandemisë.
Ambasada amerikane në Prishtinë, përgëzoi qytetarët e Kosovës që "votuan në mënyrë paqësore, pavarësisht motit dhe pandemisë".
Encouraging to see so many citizens turn out to peacefully vote today, despite the ëeather & pandemic. Noë it's important to give the @KQZKosova and other #Kosovo institutions time & space to count the votes and do their jobs. #KosovoVotes2021 ?????
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) February 14, 2021
Burimi: Euronews, Zëri i Amerikës