Shqipëria

Ministria e Arsimit njofton si do të vijojë mësimi duke filluar nga dita e hënë

Shkruar nga Anabel

18 Shkurt 2021

Ministria e Arsimit njofton si do të vijojë mësimi duke filluar

Përmes një deklarate të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, u njoftua edhe mënyra se si do të vijojë procesi mësimor duke nisur nga dita e hënë (22 shkurt), i zhvilluar online për shkak të situatës së rënduar nga Covid dhe problematikave të motit në të gjithë vendin.

“Dua t’ju informoj që nga dita e hënë, datë 22 shkurt 2021, të gjithë do t’i rikthehemi skenarit të mëparshëm. Pra, mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, publik dhe jopublik, do të zhvillohet si më poshtë:
- nxënësit e ciklit fillor (klasa 1 - 5) në shkollë;
- maturantët në shkollë;
- dhe nxënësit e klasave 6 - 11 sipas skenarit të kombinuar.”

Ministrja shtoi se shkollat e mesme (klasat 10, 11 dhe 12) që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë online deri më datë 26 shkurt 2021, sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë mesazhe prej jush, me shqetësime të ndryshme, disa që kërkojnë kthimin në shkollë e disa të tjerë që i tremben situatës së pandemisë. Dua t’ju siguroj edhe një herë të gjithëve që vendimet tona bazohen në prioritetin absolut për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë.

Prandaj, duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e thellë për durimin që keni treguar këto kohë, dua të përsëris apelin e fortë që të gjithë së bashku të tregohemi sa më të kujdesshëm në respektimin e të gjitha rregullave të përcaktuara, brenda e jashtë shkollës, sepse vetëm kështu mund të ndihmojmë për të mos lejuar përhapjen e virusit,” përfundoi ajo.

Ministria e Arsimit njofton si do të vijojë mësimi duke filluar