Për mendimin tonë

Sa e vështirë është për të famshmit shqiptarë të kërkojnë falje

Shkruar nga Sindi Salaj

19 Shkurt 2021

Sa e vështirë është për të famshmit shqiptarë

Shokuese. Ky është mbiemri më i përshtatshëm që mund të shërbejë si emërues i përbashkët për të gjitha mënyrat se si disa nga personazhet e njohur, ose së paku njerëz me mijëra e miliona ndjekës, kanë reaguar ndaj kritikave me vend të ndjekësve të tyre. Si për ironi të fatit, kanë ndodhur brenda një kohe shumë të shkurtër dhe është e pashmangshme që të mos vendosësh në dyshim qasjen ndaj të shprehurit keqardhje, ndaj mbajtjes së përgjegjësisë dhe mbi të gjitha ndaj ndjeshmërisë dhe përuljes për të kërkuar ndjesë.

Pasi Fifi u kritikua për mungesën e përgjegjësisë në lidhje me organizimin e një koncerti në një ambient të mbyllur ku nisur nga pamjet, qenë më shumë se 5 njerëz në 1 metër katror, këngëtarja u përgjigj duke thënë, me fjalë të tjera, se nuk kanë të drejtë ta kritikojnë për sa kohë pinë kafe përditë dhe sipas saj, njerëzit duhet të shpërndajnë pozitivitet dhe ta lënë të qetë sepse “ka 11 muaj pa punë”. Hera e fundit kur pashë Fifin (në punë ma marr mendja) ishte dy javë më parë te “Shiko kush luan”, por do të merrem me diçka tjetër në këtë artikull – nuk kam njohuritë e duhura dhe nuk është në interesin e këtij shkrimi që të merrem me financat e Fifit dhe t’i krahasoj ato me njerëz jo të famshëm, jo në pozita privilegji.

Për hir të së vërtetës, m’u duk një rast i izoluar, ndoshta një veprim i pamenduar dhe reagim i nxituar i Fifit. Ndoshta edhe është kështu, ndonëse gjasat janë që të mos jetë. Jo më larg se një muaj më parë, në atë që u konsiderua skandali televiziv i “Për’Puthen”, u thanë shumë gjëra, por askush nuk mbajti përgjegjësi për veprimet dhe nuk kërkoi falje. Do të kish qenë më e sinqertë, më njerëzore dhe më e drejtë që ish-konkurrentët dhe/ose produksioni të kërkonin ndjesë për dështimin në menaxhimin e situatës. Por jo, falja nuk ishte kurrsesi alternativë. Disa javë më parë, Ermal Mamaqi realizoi një trajnim që shkeli masat anti-Covid, por ndonëse u përpoq të kërkonte ndjesë dhe të mbante përgjegjësi, Mamaqi kërkoi falje duke mos kërkuar falje, sepse justifikoi gjithë çfarë ndodhi me argumente të pavlefshme.

Aktori amerikan Humphrey Bogart shprehej dikur se “E vetmja gjë që i detyrohesh publikut është një performancë e mirë”. Pjesërisht ka të drejtë. Këta njerëz të cilët ne i quajmë VIP-a, personazhe të famshëm, influencers etj., nuk janë figura publike. Pra, nuk janë presidenti, kryeministri, kryetari i bashkisë ose drejtori i një institucioni publik që paguhen me taksat tona dhe na detyrohen një shpjegim. Po them, nëse një X këngëtar nuk perfomon live ndërkohë që unë kam paguar biletën për një performancë live, kam të drejtën t’i kërkoj llogari, por në të kundërt nuk më detyrohet asgjë për qëndrimin e tij personal mbi çështje sociale. Sepse në fund të ditës, ata po bëjnë punën që kanë zgjedhur. Ne kemi zgjedhur t’i ndjekim, të paguajmë biletat e koncerteve, të blejmë produktet dhe shërbimet e tyre e kështu me radhë. Por a është kaq e thjeshtë? Përgjigjja e shkurtër: Jo.

Njerëzit pretendojnë, dhe mendoj me të drejtë, që personazhet e njohur të kërkojnë falje. Personazhi i Peter Parker te “Spider-Man” popullarizoi shprehjen që thotë se “me rritjen e fuqisë, rriten përgjegjësitë”. Ne si konsumator, si publik, si ndjekës nuk pretendojmë që njerëzit e famshëm të mos gabojmë, por ashtu si në jetën reale, kemi pritshmëritë që të mbajnë përgjegjësi për çfarë bëjnë dhe të kërkojnë ndjesë. Kaq e thjeshtë. Por nëse falja nuk e zhbën dëmin, atëherë a ka rëndësi?

Po. Kur në vitin 1998 ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton mbajti fjalimin për lidhjen jashtëmartesore me praktikanten në Shtëpinë e Bardhë, Monica Lewinsky, fjalimi i tij dështoi për një arsye shumë të thjeshtë – mbajti përgjegjësi, por nuk kërkoi falje, nuk tha se i vinte keq. Në një sondazh të bërë nga CNN menjëherë pas fjalimit, më shumë se 60% e të anketuarve thanë se ai duhej të kishte thënë “Më vjen keq”. Javë më vonë, Clinton kërkoi falje duke thënë atë çfarë amerikanët prisnin.

Në dhjetor, Rita Ora theu rregullat e karantinës për të dytën herë dhe për të dytën herë kërkoi publikisht falje dhe u shpreh se do të mbante përgjegjësi. Një javë më parë, Justin Timberlake kërkoi publikisht ndjesë për veprimet, me ose pa vetëdije, që dëmtuan imazhin mediatik të Britney Spears dhe Janet Jackson, ndonëse kanë kaluar pothuajse dy dekada pas ngjarjeve tronditëse. Ndjesa e Timberlake nuk e zhbën kurrsesi ndikimin e tij negativ te jeta e këngëtareve, por ka rëndësi për një arsye shumë të thjeshtë: raporti me publikun dhe standardet e reja. 

Të kërkosh falje do të thotë të kontrollosh dëmin që ke shkaktuar. Kur kërkon falje, ti vendos të thuash që veprimi yt është i gabuar dhe nuk duhet të shërbejë si model. Ti tregon se e mirëkupton reagimin e tyre. Ashtu si në jetën private, të kërkuarit falje ka rëndësi sepse vendos të tjera limite për çfarë është e pranueshme ose jo. Jo më kot transmetohen nëpër media (të huaja) deklaratat e njerëzve të famshëm që kërkojnë falje për marrëdhëniet e tyre abuzive. Ndjesa e tyre nuk e fshin të kaluarën, por ndikon te mënyra se si publiku percepton dhunën ose çdo formë tjetër keqtrajtimi.

Në rastin e personazheve shqiptarë, është e vështirë ose thuajse e pamundur t’i japësh një shpjegim pse dështojnë për të thënë “Më falni”. Ka gjasa të jetë keqmenaxhimi ose mungesa e menaxhimit. Në fund të ditës janë njerëz si të gjithë ne – thjesht gabimet e tyre bëhen publike. Ose nuk përjashtohet mundësia që ia njohin kokën publikut. Historia fatkeqësisht ka treguar se pavarësisht se çfarë thonë, çfarë bëjnë ose si sillen, kanë të njëjtin numër ndjekësish në rrjete sociale, të njëjtin numër njerëzish nëpër koncerte, ftohen në po të njëjtat emisione televizive, trajtohen dhe (mbi)vlerësohen po njësoj. Sipas vendit dhe kuvendi!