Kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi se pandemia Covid-19 mund të rrezikojë përparimin e bërë në barazinë gjinore, pasi gratë merren me pjesën më të madhe të kujdesit për fëmijët gjatë izolimit dhe ka më shumë të ngjarë të punojnë në punë me rrezik.
"Ne duhet të sigurohemi që pandemia nuk na bën që të rikthehemi te modelet e vjetra gjinore që mendonim se i kishim kapërcyer", tha Merkel në një mesazh me video përpara Ditës Ndërkombëtare të Grave të hënën. Gratë janë prekur në mënyrë disproporcionale nga pandemia, tha ajo, teksa ishin të nënpërfaqësuara në pozicionet vendimmarrëse.
"Edhe një herë, janë më shpesh gratë ato që duhet të bëjnë ekuilibrin midis shkollimit në shtëpi, kujdesit për fëmijët dhe vendeve të tyre të punës", tha Merkel. Gratë gjithashtu tejkalojnë numrin e burrave në profesionet e kujdesit shëndetësor, në një kohë kur këto punë janë veçanërisht sfiduese, theksoi ajo.
"Më shumë se 75% e atyre që punojnë në sektorin shëndetësor janë gra, nga zyrat e mjekëve dhe spitalet, te laboratorët dhe farmacitë", tha kancelarja - megjithatë gratë mezi arrijnë 30% të pozicioneve drejtuese në këto punë.
"Nuk mund të ndodhë që gratë në masë të madhe të mbajnë shoqërinë, por në të njëjtën kohë nuk janë të përfshira në mënyrë të barabartë në vendime të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore.”
Një studimi i fundit i BE-se zbuloi se pandemia "ka përkeqësuar pabarazitë ekzistuese midis grave dhe burrave në pothuajse të gjitha fushat e jetës". Mund të "duhen vite, apo edhe dekada" për të kapërcyer pengesat gjinore të shkaktuara nga pandemia, tha raporti.
Burimet: Guardian, Deutsche Welle