Ju me gjasë e dini që ekziston rreziku i zhvillimit të efekteve anësore të vogla pasi të keni bërë ndonjë nga vaksinat Covid-19 të autorizuara për përdorim. Por ajo që ju me siguri nuk e dini është se të dhënat tregojnë qartë se ka më shumë gra sesa burra që po raportojnë efekte anësore nga vaksinat.
Një studim i botuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në fund të shkurtit grumbulloi të dhëna nga muaji i parë i administrimit të vaksinës Covid-19 në SHBA dhe vuri re një ndarje mes gjinive.
Nga 6,994 persona që raportuan efekte anësore, 79.1% e tyre ishin gra. Një studim tjetër nga studiuesit e CDC që u botua në JAMA në shkurt zbuloi se të gjithë 19 njerëzit që përjetuan anafilaksinë e reaksionit alergjik të rëndë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën pasi morën vaksinën Moderna ishin gra. Kështu ishin 44 nga 47 personat që përjetuan reagimin pasi morën vaksinën e Pfizer-BioNTech.
Së pari, le të përmendim efektet e mundshme anësore të vaksinës Covid-19.
Pasi të keni bërë vaksinën e Covid-19 mund të mos keni asnjë efekt anësor, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e tyre. Nëse ju ndodh, mos u panikosni - ekspertët thonë që efektet anësore janë shenja normale që trupi juaj po ndërton mbrojtje ndaj virusit, nëse do të bini në kontakt me të. Efektet e mundshme anësore përfshijnë:
- Dhimbje në krah aty ku keni bërë vaksinën
- Skuqje përreth zonës ku jeni vaksinuar
- Lodhje
- Dhimbje koke
- Dhimbje muskulore
- Temperaturë
- Ethe
- Të përziera
Studimi CDC i botuar në fund të shkurtit zbuloi se simptomat më të zakonshme të raportuara ishin dhimbja e kokës (22.4%), lodhja (16.5%) dhe marramendja (16.5%).
Pra, pse raportohet se efektet anësore janë më të përhapura te gratë në krahasim me burrat?
Në këtë pikë, është e vështirë të thuhet me siguri pse.
"Unë nuk mendoj se ka informacion të mjaftueshëm për të qenë në gjendje të nxjerrim ndonjë konkluzion të fortë se pse kjo mund të ndodhë më shumë tek femrat sesa tek meshkujt", u shpreh për Health eksperti i sëmundjeve infektive Amesh A. Adalja, studiues i vjetër në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.
“Është plotësisht e mundur që gratë kanë më shumë gjasa se burrat të raportojnë simptomat e tyre”, thotë ai.
Por kjo nuk mendohet të jetë arsyeja e vetme. “Gratë kanë më shumë sëmundje autoimune sesa burrat dhe duket se është për shkak se sistemi i tyre imunitar është më reaktiv,” tha po për Health William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive dhe profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Vanderbilt.
Ai shtoi se ndoshta ndryshimet hormonale mund të jenë në lojë. Estrogjeni "ngacmon" sistemin imunitar, ndërsa testosteroni duket se e ul pak atë.
Sipas Jennifer Wider, eksperte shëndetësore e grave, burrat dhe gratë i metabolizojnë ilaçet në mënyrë të ndryshme. Përgjigjet e antitrupave ndaj vaksinave mund të jenë gjithashtu pak më të larta te gratë sesa burrat, thotë Wider, me hulumtime që tregojnë më shumë një ndryshim me moshën. Si rezultat, reagimi i efektit anësor "mund të jetë më i fortë".
Çfarë të bëni nëse keni efekte anësore nga vaksina Covid-19?
Së pari, dijeni se në të vërtetë është gjë e mirë të kesh efekte anësore nga vaksina. Kjo do të thotë që vaksina po funksionon.
CDC thotë se nuk përbën problem të marrësh ilaçe OTC si ibuprofen, acetaminofen, aspirinë, ose antihistaminë, për çdo dhimbje dhe shqetësim që mund të kesh pasi të vaksinohesh, por nuk rekomandohet t’i merrni para vaksinimit.
Për dhembje të krahut, sugjerohet të vendosni një leckë të pastër, të freskët dhe të lagur mbi zonën ku keni bërë vaksinën dhe të përpiqeni të lëvizni krahun më shumë. Nëse keni ethe, duhet të pini shumë lëngje dhe të visheni lehtë.
Nëse zhvilloni efekte anësore të rënda ose nuk po lehtësoheni nga metodat e mësipërme, duhet të kontaktoni mjekun për veprime të mëtejshme.
- Konfirmohet prania e variantit britanik në vend: Komiteti i Ekspertëve flet për situatën e Covid-19
- A vonoi OBSH për ta shpallur Covid-19 si pandemi?
- Studimi i ri: Kjo sëmundje mund të ketë shkaktuar transmetimin e koronavirusit nga kafshët te njeriu
- Mund të duhen vite ose dekada që të kapërcehen pabarazitë gjinore të pandemisë
Burimet: Health, WebMD