Zyrtarët në Tajvan po u luten njerëzve që të ndalojnë së ndryshuari emrin në "salmon" pasi dhjetëra bënë një veprim të tillë të pazakontë për të përfituar nga një promovim i një restoranti.
Në një fenomen që është etiketuar si "kaosi i salmonit" nga mediat lokale, rreth 150 të rinj vizituan zyrat qeveritare ditët e fundit për të ndryshuar zyrtarisht emrin e tyre. Shkaku i këtij entuziazmi të papritur për të ndryshuar emrin ishte një zinxhir restorantesh sushi.
Përmes një promovimi dy-ditor, i cili përfundon sot (e enjte, 18 mars), çdo klient, karta e identitetit e të cilit përmbante "gui yu" – karakteret e alfabetit për salmon - do të kishte të drejtën të hante një vakt falas me pesë miq.
Tajvani lejon njerëzit që zyrtarisht të ndryshojnë emrin e tyre deri në tre herë.
“Ky lloj ndryshimi i emrit jo vetëm që harxhon kohë, por shkakton dokumente të panevojshme," u tha gazetarëve zevendësministri i Brendshëm, Chen Tsung-yen. “Shpresoj që të gjithë mund të jenë më racionalë në lidhje me këtë,” shtoi ai.
"Unë e kam ndryshuar emrin tim në salmon dhe dy miq të mi gjithashtu e bënë", tha një grua për SET TV. "Thjesht do t'i ndryshojmë emrat tanë më vonë.”
Emra të tjerë me temë salmoni të raportuar në mediat lokale përfshinin “Salmon Prince”, “Meteor Salmon King” dhe “Salmon Fried Rice”.
Burimet: Guardian, Agence France-Presse