Pfizer ka në plan të kërkojë aprovimin e vaksinës së Covid për më të rinjtë pasi nga një provë në SHBA rezultoi se ishte e sigurt për adoleshentët nga mosha 12 deri në 15 vjeç.
Kompania farmaceutike amerikane, e cila bashkëpunoi me firmën gjermane BioNTech për të prodhuar vaksinën, tha se do të paraqiste të dhënat e provës te Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në javët e ardhshme dhe rregullatorëve të tjerë pas kësaj.
Në një deklaratë, Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, tha se miratimi do të hapte rrugën që vaksinimet të fillojnë në grupmoshën e re para vitit të ardhshëm shkollor. Vaksina është e miratuar për përdorim për njerëzit nga mosha 16 vjeç e lart.
Studiuesit në SHBA ekzaminuan përdorimin e vaksinës Pfizer / BioNTech në një provë me 2,260 fëmijë të moshës 12 deri në 15 vjeç. Gjysmës iu dha vaksina dhe gjysma tjetër mori placebo. Studuesit regjistruan 18 raste me Covid midis 1,129 personave në grupin placebo dhe 0 raste mes 1,131 personave që morën vaksinën.
Shën.red. Placebo - një substancë ose trajtim i krijuar që të mos ketë vlerë terapeutike.
Sipas deklaratës së Pfizer, vaksina u tolerua mirë, me efekte anësore të ngjashme me ato që shiheshin te grupmosha 16-25 vjeç. Deklarata nuk dha hollësi për efektet anësore për grupin më të ri, por në testimin e të rriturve efektet anësore ishin përgjithësisht të buta deri në të moderuara dhe përfshinin dhimbje në vendin e injeksionit, dhimbje koke, ethe dhe lodhje.
Në mes të këtij muaji, edhe kompania Moderna testoi vaksinën te fëmijët dhe rezultoi të ishte e sigurt.
Burimet: Guardian, Euronews