Ndërkohë që procesi i vaksinimit masiv në vend vijon, njerëzit kanë ende pikëpyetjet e tyre. Kur do të vaksinohen grupet e riskut? A do të vaksinohen ata që e kanë kaluar Covid-19 dhe nëse po, kur?
Eugena Tomini, zëvendësminitre e Shëndetësisë, gjatë një interviste për Abc News foli për situatën epidemiologjike dhe vazhdimësinë e procesit të vaksinimit.
Përsa i përket vaksinimit të atyre që e kanë kaluar virusin ajo u përgjigj:
“Thirrja për të aplikuar bëhet nga mjeku i familjes. I bëhet thirrje popullatës ose individëve edhe pse ka një skedar për të cilët ka historik. Pra i bëhet thirrje popullatës ose individëve nëse janë dakord për të aplikuar këto momente ose jo.
Duhet theksuar se brenda 3 muajve pas kalimit të shenjave klinike të Covid-19, pavarësisht moshës nuk rekomandohet kryerja e vaksinës sepse individi në mënyrë natyrale ka antikorpe. Ndërkohë në periudhën 3-6 muaj është e rekomandueshme pavarësisht se sipas studimeve të pjesshme imuniteti natyral mund të qëndrojë 6 deri në 8 muaj, sigurisht bëhet e rekomandueshme aplikimi i vaksinës."
Tomini shtoi se programi i vaksinimit do të vijojë me zvogëlimin e moshës, duke zbritur në moshën 65+ me sëmundje bashkëshoqëruese dhe 60+, me sëmundje bashkëshoqëruese.