Shqipëria

Trajtimi i qenve endacakë: Çfarë po ndodh

Shkruar nga Anabel

7 Prill 2021

Trajtimi i qenve endacakë: Çfarë po ndodh

Çështja e trajtimit të qenve të rrugës është sjellë sërish në vëmendje, sidomos në rrjete sociale, për shkak të transmetimit të disa videove ku pretendohet se punonjës të sektorit veterinar të Bashkisë së Tiranës keqtrajtojnë ose vrasin qentë e rrugës. Si pasojë e këtyre videove, disa protesta janë mbajtur në kryeqytet dhe në Klinikën Veterinare në Kombinat.

Në një video të publikuar nga Animal Rescue Albania (ARSA), pretendohet se qentë në klinikën në Kombinat keqtrajtohen, madje edhe vriten me acid. Nuk është hera e parë që përflitet për një dukuri të tillë, ndaj në vijim kemi përmbledhur se çfarë ka ndodhur dhe si po procedohet me trajtimin dhe rehabilitimin e qenve të rrugës.

Në një studim të vitit 2006-2007 të kryer nga World Society of the Protection of Animals dhe RSPCA International, shkruhej se numri i qenve të rrugës në Shqipëri ishte në rritje. Duket se nisur nga ky trend në rritje, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, në prill të vitit 2015, në Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Kafshëve, organizuan një takim për problematikën e qenve endacakë. Në takim u theksua se fjala “vrasje” nuk do të ekzistonte më, referuar të shkuarës së dhimbshme të qenve të rrugës nga pushteti lokal.

Në vitin 2016, në ceremoninë e përurimit të Klinikës Veterinare të Bashkisë së Tiranës, u theksua se sterilizohen 15 qen çdo ditë dhe deri në atë kohë, ishin sterilizuar 15,000 të tillë. Po në atë vit, Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) zgjodhi për herë të parë Shqipërinë, konkretisht Tiranën, për të mbajtur një konferencë rajonale për temën e kafshëve endacake, si një vlerësim, sipas Tirana.al.

"Për herë të parë pas 5 vitesh na rezulton se nuk ka rritje të popullsisë së qenve të rrugës. Kjo do të thotë që puna e shkëlqyer që po bën Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit me 55 poste në ditë që kanë për kafshët e rrugës të cilat vaksinohen dhe pastaj sterilizohen, pra që të mos shumohen dhe të jenë nën kontroll në mënyrë humane, ka reduktuar me 1500 numrin e qenve në Tiranë”, u shpreh asokohe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Mirëpo pavarësisht përpjekjeve, në Tiranë, në vitin 2017, endeshin 10,000 qenë endacakë. “Nga shkurti i 2016-s kemi kapur dhe lëshuar në habitat 4500 qenë. Qëllimi kryesor është ndalimi i shumimit të tyre dhe ka rezultuar që kemi ulur me 50% numrin e qenve në rrugët e Tiranës,” u shpreh asokohe Hermiona Hajdini e cila është ende përgjegjëse e sektorit veterinar në Bashkinë e Tiranës. Po në të njëjtën kohë, në një intervistë për Panoramën, Brian Faulkner, një ekspert i huaj për trajtimin e punonjësve të shërbimit veterinar, tha:

“[...] Tirana po zbaton kontrollin e popullatës së qenve endacakë, siç është bërë më parë në çdo qytet tjetër europian. Gjatë kësaj jave, ne kryem gjithashtu një matje kampion të densitetit të qenve endacakë në lagje të caktuara. Më vjen mirë të pohoj se tashmë projekti i Bashkisë Tiranë, i nisur prej më shumë se një viti, ka filluar të japë rezultat duke sjellë ulje të numrit të qenve endacakë."

Megjithatë videot e keqtrajtimit dhe vrasjes së kafshëve kanë qarkulluar vazhdimisht. Në vitin 2018, emisioni investigativ “Stop” transmetoi pamje ku thuhej se qentë vriteshin dhe hidheshin  në landfillin e Sharrës. Fill pas videove, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në varësi të Bashkisë së Tiranës u shpreh se pamjet ishin të montuara. Në deklaratën për mediat, u tha:

“[...]Qentë endacakë, të cilët kapen nga punonjësit e trajnuar të AMK-së, dërgohen në klinikën veterinare, ku nën kujdesin e stafit veteriner, sterilizohen, matrikulohen dhe vaksinohen, për t’u lëshuar sërish në rrugë. Që prej vitit 2016, ky proces ka mundur të trajtojë me sukses rreth 5 mijë qen endacakë të qytetit.

Qëllimi kryesor i punës sonë është të sigurojmë që kafshët e rrugës në Tiranë të mos përbëjnë rrezik për jetën e njeriut, duke qenë se kafshët e sëmura mund të përçojnë sëmundje të rrezikshme për njerëzit, si leshmanjoza apo tërbimi, kurse kafshët agresive mund të rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve. Vetëm gjatë vitit të fundit në Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit janë referuar 1425 ankesa nga qytetarë të ndryshëm për kafshime nga qentë endacakë agresivë.

Por, në emisionin e mbrëmshëm vumë re me keqardhje se pamjet e transmetuara nuk përkojnë me njëra-tjetrën dhe pretendimet janë të pavërteta. Montimi i pamjeve foto me video që mund të bëhet lehtësisht me kafshë të shtypura në rrugë nacionale nga aksidentet rrugore, nuk përkojnë as me punën e madhe të bërë nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit për trajtimin e kafshëve të rrugës, të cilët, siç u pa edhe nga pamjet dhe intervistat e emisionit “Stop” në rrugë, janë matrikuluar e vaksinuar dhe gjenden lehtë në rrugët e qytetit.”

Në deklaratën e saj, AMK u shpreh se gjatë punës në Klinikën Veterinare “janë vërejtur edhe raste të qenve endacakë, të cilët rezultojnë të sëmurë me sëmundje që mund të transmetohen te njeriu, si leshmanjoza apo tumore në metastaza finale, i nënshtrohen procesit të eutanazisë, referuar nenit 70, pika C, i Ligjit 10465 për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë. Klinika monitorohet e tashmë është certifikuar nga agjencitë europiane si një nga më të mirat në rajon!”

Në mars të vitit 2018, nëpër rrjete sociale u trajtua çështja e qenve agresivë, nisur nga një deklaratë e Fatma Haxhialiut e cila kërkoi rehabilitimin e tyre. Gjithçka nisi nga një postim në të cilin gazetarja tregoi ç’i kishte ndodhur bashkëshortit të saj veteriner. Tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit, e kishte kafshuar një qen rruge dhe prej kësaj ndodhie, Fatma kërkoi rehabilitimin e qenve, që “ne të ecim të qetë rrugëve”. Nisur nga ky debat, ARSA vuri re mangësitë e sistemit. Si organizatë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, u shpreh se përfaqësuesit e saj nuk janë lejuar kurrë në brendësi të këtyre ambienteve.

Nga mënyra sesi AMK e prezanton planin për qentë endacakë, funksionon kështu: Me anë të sterilizimit të të gjithë qenve të rrugëve, me kalimin e kohës, ata s’do të mund të mbarështohen më dhe popullata e tyre do të pakësohet deri në zhdukje. Është efektiv si plan, thjesht kërkon kohë.

Por megjithatë ky plan nuk është zgjidhje për kafshimet e qenve në rrugë, ose për qentë e sëmurë. Raste të kafshimeve nga qentë e rrugës janë transmetuar edhe nëpër media.

Përsa i përket pamjeve të publikuara ditë më parë, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit nuk ka reaguar. Anabel.al i është drejtuar AMK-së për një koment, por nuk kemi marrë ende një përgjigje.

Ndërkohë çfarë mund të bëhet? Portavendore.al, një platformë multi-funksionale në mbështetje të përfshirjes së qytetarëve në vendimarrje lokale, në një artikull me titull “Pse nuk mbarojnë kurrë qentë e rrugës” argumenton masat që duhen marrë për trajtimin e qenve jo vetëm në Tiranë, por kudo nëpër Shqipëri. Ja çfarë shkruhet ndër të tjera në artikull:

1- Bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe policinë të krijojë një linjë telefonike, ose të përdorë ato ekzistuese, ku qytetarët të telefonojnë në rastet kur ndihen të kërcënuar nga qentë e rrugës.

2 - Bashkia të  marrë masat për administrimin e plehrave në qytet, duke evituar kazanët e hapur apo pirgjet e plehrave të cilat shpesh tërheqin qentë e rrugës, por edhe kafshë të tjera.

3 - Bashkia dhe këshilli bashkiak të caktojnë gjoba për personat që braktisin qentë, çka bëhet e mundur nëse veterinerët do të detyrohen që të pajisin me chip çdo qen që shesin.

4 - Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve duhet të luajnë një rol më aktiv për të ndërgjegjësuar qytetarët që të adoptojnë qentë e rrugës.

Për më shumë informacion, Anabel.al kontaktoi me Dog Walking & Coaching që trajnon dhe rehabiliton qentë e rrugës me qëllim përgatitjen e tyre për adobtim, në lidhje me situatën, Dog Walking & Coaching u shpreh:

“Trajnerët tanë po punojnë nga afër me një grup ekspertësh ligjorë për krijimin e një plani disavjeçar i cili ka për synim krijimin e një situatë konstruktive midis organizatave dhe instutucioneve.”

MOS I HUMBISNI