Reperi DMX, emri i vërtetë i të cilit është Earl Simmons, u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare, pas disa ditësh në gjendje kritike.
“Jemi shumë të trishtuar që na duhet të njoftojmë se i dashuri ynë, DMX, ndërroi jetë në moshën 50-vjeçare në spitalin White Plains me familjen në krah pasi ndodhej në gjendje të vështirë për jetën në ditët e fundit,” lexohet në deklaratën e familjes (via CNN).
DMX u shtrua në spital ditë më parë në gjendje kritike për jetën pas një ataku në zemër. Familja konfirmoi se ai ndodhej në koma, ndërsa ish-menaxherja e tij, Nakia Walker, tha për Buzzfeed se ndodhej në “gjendje vegjetative” (pa reagim) dhe me “dështim të mushkërive dhe trurit". Avokati i tij, Murray Richman, u shpreh se reperi u shtrua në spital si pasojë e një arresti kardiak dhe nuk konfirmoi pretendimet se shkaku ishte një mbidozë substancash.
DMX (Dark Man X), një nga reperët më të suksesshëm në fund të viteve 1990, luftoi me abuzimin e substancave. Në 2019, ai anuloi një seri shfaqjesh për t’u rehabilituar. Asokohe tha se “duhet të vinte familjen dhe maturinë në vend të parë”. Arritjet muzikore shpesh qëndronin në hije për shkak të abuzimit me substancat dhe problemeve me ligjin. Ai u shpall fajtor për mashtrim tatimor në vitin 2017 dhe u dënua me një vit burg.
Reperi debutoi në muzikë përmes albumit “It's Dark and Hell is Hot” që u rendit në No1 në Billboard200. Ai publikoi edhe katër albume të tjerë që u renditën mirë në klasifikime, si “... And Then There was X”, “Flesh of My Flesh, Blood of My Blood”, “The Great Depression” dhe “Grand Champ”.
Në YouTube qarkullon një video ku duket DMX teksa kërcen valle shqiptare. Në vitin 2013, ai mbajti një koncert në Prishtinë, që mund të shpjegojë edhe praninë e tij në video.

DMX ishte baba i pesëmbëdhjetë fëmijëve. Ai u martua me shoqen e fëmijërisë Tashera Simmons në vitin 1999, qëndruan të martuar për 11 vjet dhe patën katër fëmijë së bashku (Xavier, Tacoma, Praise Mary Ella dhe Sean). Fëmija i pesëmbëdhjetë, Exodus Simmons, erdhi në jetë nga marrëdhënia me të dashurën Desiree Lindstrom, më 16 gusht 2016.
DMX pati lidhje të shumta jashtëmartesore gjatë martesës me Simmons, disa prej të cilave, 9 gra në total, sollën në jetë fëmijët.