Kur Elvana Gjata postoi dy fotot që i paraprinë publikimit të albumit EP “Çelu”, pavarësisht enigmës që rrethonte albumin, detajet për të cilin qenë të pakta, njerëzit arritën të kuptonin qasjen e “Çelu”.
Vetë ajo me grim natyral dhe flokët e mbledhur thjesht, për të cilët u kujdes përkatësisht makeup artistja Sellma Kasumoviq dhe parukieri Kaci Lleshi, që pozon e veshur me një fustan të dizajneres Sara Wong me dantellë të bardhë para një sfondi disi të zymtë dhe të turbullt, ndoshta ishte mënyra e Elvanës përmes fotos së shkrepur nga Endrit Mërtiri për të thënë që “Çelu” do të jetë diçka “e ngrohtë” (portreti i saj në dritë) pas një periudhe jo fort të lehtë (sfondi i errët).
View this post on Instagram
“E di që të gjithë kemi kaluar kohë të vështira me veten, familjen dhe të afërmit tanë. Ky album është dritë dhe shpresë për të jetuar jetën.” – shkroi ajo pak më parë në Instagram.
Albumi, i cili publikohet në YouTube sot në orën 19:00, është momentalisht i disponueshëm në disa platforma, si Spotify dhe Apple Music. Nisur nga kjo, këngët po qarkullojnë nëpër rrjete sociale pasi një pjesë e mirë është njohur tashmë me to dhe nuk mungojnë vlerësimet për to.
Një surprizë e albumit ishte padyshim bashkëpunimi i Elvanës me motrën, Migenën. “Vendi im” është bashkëpunimi i parë i motrave Gjata, që pavarësisht se kanë ndjekur zgjedhur rryma të ndryshme muzikore, nuk kanë rënë në “hijen” e njëra-tjetrës. “Vendi im” bashkon zërin e Elvanës me vokalin klasik të Migenës.

Një album që materializohet duke bashkëpunuar me një listë të gjatë emrash, të gjithë të mirënjohur për punën përkatëse në fushën e tyre, si Max Production, Geraldina Sposa, Valdrin Sahiti, JL Consulting Albania, Vasjen Katro, Loudcom Media etj., sigurisht që premtonte shumë.
Pavarësisht albumit, duket se projektet e Elvanës për këtë vit, e cila mungonte prej kohësh para se të publikonte këngën “Thirr”, nuk përfundojnë këtu. “Çfarë xhevahiri! Shpresojmë që të bëjë edhe një album më ritmik, më të kërcyeshëm,” i shkruan dikush menaxherit historik të Elvanës, Andi Islamit (Andy Gramm, emri i artit) në një koment në Instagram.
“Tik-tak, tik-tak,” përgjigjet ai.