Shqipëria

6 arsye pse duhet të votoni, edhe nëse s’ju pëlqen asnjë parti

Shkruar nga Anabel

19 Prill 2021

6 arsye pse duhet të votoni, edhe nëse s’ju pëlqen

Na ndajnë vetëm 6 ditë nga zgjedhjet e së dielës. Më 25 prill, shqiptarët do të vendosin për kandidatët që do t’i përfaqësojnë në parlament. Por jo të gjithë do të zgjedhin të votojnë. Disa, nisur nga fakti që nuk përkrahin asnjë parti, nuk do të votojnë. Kjo çëshje vlen shumë për diskutim, megjithatë ka disa arsye të forta pse duhet që të votohet.

Vota është e drejta për të zgjedhur dhe privilegj. Ne jetojmë në një shtet që pavarësisht problemeve të tij, duhet thënë se jemi me fat që gëzojmë të drejtën të votojmë për njerëzit që do të na përfaqësojnë në parlament. Në shumë vende, e drejta e votës (sidomos për gratë) nuk ekziston.

Votimet kanë pasoja. Duhet të kuptoni që ju vendosni për cilësinë e jetës suaj dhe për brezin e ardhshëm, të paktën për 4 vitet e ardhshme. Vota është mënyra juaj për të adresuar problemet.

Të zgjedhësh të mos votosh nuk është rebelim, është dorëheqje. Zgjedhjet nuk janë asgjë tjetër veçse një proces ku rezultati varet nga njerëzit që votojnë. Edhe nëse të zgjedhësh që të mos votosh ju duket një formë votimi, kujtoni që kur numërohen votat, vota e dikujt që ka votuar ka më shumë peshë. Është matematikë e thjeshtë, kështu funksionon – ndodh që qeveritë e këqija zgjidhen nga njerëzit e mirë që zgjedhin të mos votojnë, ka thënë George Jean Nathan.

Janë paratë e tua në fund të ditës. A paguan taksa? A nuk dëshiron që të vendosësh se si do të shpenzohen paratë e tua dhe kush do t’i menaxhojë? Vota nuk është thjesht të zgjedhësh kush do qëndrojë në zyrat e ministrive dhe kaq.

Votimi është përgjegjësi ndaj të tjerëve. Shumë njerëz, si për shembull fëmijët, nuk mund të votojnë. Kështu që shumë të tjerë nuk e dinë se votimi është edhe përgjegjësi ndaj njerëzve që nuk e kanë këtë privilegj. Përpos kësaj, prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve, përmes shembullit të tyre, rëndësinë e votimit si e drejtë e zgjedhjes dhe vendimmarrjes.

Çdo votë ka rëndësi. Historia ka treguar që edhe një votë ka bërë diferencën. “Nëse nuk voton, ke humbur të drejtën për të kundërshtuar,” – George Carlin.

Por, ç'duhet të bëni nëse nuk ju pëlqen asnjë prej partive?

Studioni politikat e secilës parti dhe gjeni se me cilën jeni më shumë dakord. Kuptoni se cilin kandidat toleroni më shumë. Njerëzit që do të zgjidhen, vendosin për fatin tuaj – kujt i besoni më shumë se do të marrë vendime më të mira për ju dhe 2.8+ milionë të tjerë? Po partitë e vogla? A i keni parë ndonjëherë programet e tyre? Ndonëse jo fort të privilegjuara nëpër zgjedhje, historia ka treguar se edhe kandidatët e këtyre partive mund të fitojnë besimin e njerëzve (kujtoni rastin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në Kosovë).

Bëni kërkime për kandidatët dhe votoni për ata që mendoni se do të zbatojnë politika që pajtohen me parimet tuaja. Vota është privilegj që, për fat të keq, sot në botë nuk u jepet të gjithëve – përderisa e keni këtë të drejtë, përdoreni.