Në fillim të prillit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se “drita në fund të tunelit po afrohet çdo ditë e më shumë” si pasojë e fushatës së vaksinimit. Në po të njëjtën kohë, në një intervistë për emisionin “Dola te Ola” në News24, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha se vendi po shkon drejt hapjes. Sipas tij, në muajin maj Shqipëria do të hapet totalisht. Por si pritet të jetë kjo hapje?
Orari i lëvizjeve
Duke nisur nga data 12 prill, qytetarët janë të lirë të lëvizin nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 22:00 (me përjashtim të rasteve të emergjencave dhe lëvizjeve të detyrueshme). Kjo masë erdhi pas disa javëve ku lëvizja e lirë lejohej deri në orën 20:00. Thënë kjo, hapja totale që u paralajmërua nga Ahmetaj do të thotë se do të hiqet (së shpejti) kufizimi i orarit.
Maskat
Vendimi për mbajtjen e maskave duket i paqartë. Disa ekspertë në Mbretërinë e Bashkuar thonë se mbajtja e maskave do të vazhdojë edhe për disa muaj, në mos për më gjatë. “Disa kufizime të vazhdueshme janë me rëndësi. Kjo mund të përfshijë uljen e numrit të njerëzve që kalojnë periudha të gjata në një vend, të tilla si restorante, regjistrimin e vazhdueshëm të njerëzve që vizitojnë vende të tilla, për ta bërë më të lehtë ndjekjen dhe përdorimin e vazhdueshëm të maskave,” tha për Guardian profesor Rowland Kao nga Universiteti i Edinburgut.
Profesor Paul Hunter nga Universiteti i Anglisë Lindore tha: “Nuk do të çuditesha nëse maskat e fytyrës do të duhej të mbaheshin.”
Për momentin, Komiteti Teknik i Ekspertëve e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në çdo ambient, përfshirë edhe rrugët (me përjashtim të bareve, restoranteve dhe lokaleve). Në kushtet e një situate epidemiologjike të kontrolluar dhe zgjerimin e fushatave të vaksinimit, ka të ngjarë që mbajtja e maskave të jetë e detyrushme vetëm në ambiente të mbyllura (transport publik për shembull), por jo në rrugë.
Pushimet
Në verën e vitit të kaluar, sezoni turistik u zhvillua pak a shumë në kushte normale – me udhëzim nga autoritetet shëndetësore për distancë sociale dhe respektim të masave higjieno-sanitare. Referuar situatës së tanishme, pushimet brenda vendit duket se do të vijojnë njësoj.
Pushimet ndërkombëtare
Çështja e udhëtimeve ndërkombëtare mbetet e paqartë, por shumica e ekspertëve dhe shkencëtarëve të shëndetit thonë se duhet të vijojë gjurmimi i rasteve dhe nuk e përjashtojnë mundësinë e vetë-karantinimit. Paraqitja e testeve negative për Covid dhe/ose certifikatave të vaksinimit janë të rëndësishme.
Koncerte
Nevojitet një plan i detajuar se si mund të organizohen koncerte masive teksa autoritetet përpiqen të mbajnë numrin e infeksioneve të ulët. Një eksperiment në Barcelonë, ku 5,000 të pranishëm morën pjesë në një koncert, tregoi se në rast se njerëzit testohen paraprakisht dhe mbajnë maskë, ngjarje të tilla kulturore nuk përbëjnë asnjë rrezik. Nga koncerti në Barcelonë mendohet se u infektuan maksimumi 2 persona si pasojë e koncertit. Thënë kjo, koncertet e verës nuk përjashtohen, mirëpo organizimi i tyre do të kërkojë një plan të mirëfilltë. Organizimi në ambiente më të vogla, si për shembull te Amfiteatri i Tiranës dhe jo te Sheshi “Skënderbej” mund të jetë një alternativë.
Në fund të prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije se situata epidemilogjike në vend vijon të mbetet e kontrolluar, gjë që solli kalimin e mësimit të insitucioneve parauniversitare në klasa. Drejtoresha e Instituitit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se ka një rënie të rasteve të reja pozitive, rasteve aktive dhe të shtruarve në spitale.
- Përhapja e shpejtë e variantit indian të Covid është 'shqetësuese', thonë shkencëtarët
- Zyrtarisht, gjimnazistët i rikthehen shkollës në maj: Flet ministrja e Arsimit
- CDC thotë se njerëzit e vaksinuar mund të mos e mbajnë maskën: Po pjesa tjetër?
- A është gjakderdhja nga hunda një simptomë e Covid?
- Epidemiologu në lidhje me imunitetin ndaj Covid-19: 'Ka lajme të mira'