Bota

Raketa kineze jashtë kontrollit pritet të bjerë në Tokë: Çfarë thonë ekspertët

Shkruar nga Anabel

8 Maj 2021

Raketa kineze jashtë kontrollit pritet të bjerë në

Përditësim: Mbetjet e raketës nuk shkaktuan dëme. Ato ranë në oqeanin Indian.

Një raketë e madhe kineze që është jashtë kontrollit do të rikthehet në atmosferën e Tokës këtë fundjavë, gjë që ka shkaktuar shqetësim te njerëzit për faktin që pjesëzat e saj mund të shkaktojnë dëme. Por çfarë thonë ekspertët?

Çfarë ndodhi?

Raketa Long March 5B nga stacioni hapësinor kinez po orbitonte më 29 prill, por më pas u la të lëvizte e pakontrolluar në hapësirë, derisa graviteti i Tokës nisi ta tërheqë sërish. Ekspertët thonë se brenda kësaj fundjave, raketa 100 metra e gjatë do të rikthehet sërish në atmosferën e Tokës. Një pjesë e konsiderueshme e raketës 22 tonëshe do të shkatërrohet, megjithëse copa të mëdha të saj mund t’i mbijetojnë rënies.

Bazuar në trajektoren e raketës, vlerësimet e ekspertëve thanë se ajo mund të hyjë në atmosferë midis orës 10 të mëngjesit të shtunën e 8 majit deri në orën 11 të mëngjesit të së dielës, 9 maj. Koha e saktë e rënies mbetet e panjohur dhe e paqartë. Nuk përjashtohet as data 10 maj.

A ka ndonjë të dhënë për vendodhjen e rënies së mbeturinave të raketës?

Agjencia Europiane e Hapësirës ka parashikuar një "zonë rreziku", e cila përfshin Amerikat, të gjithë Afrikën dhe Australinë, një pjesë të Azisë në jug të Japonisë dhe në Europë: Spanjën, Portugalinë, Italinë dhe Greqinë. Kjo rreze e madhe është, pjesërisht, rezultat i shpejtësisë së raketës - ndryshime të lehta të rrethanave mund të ndryshojnë në mënyrë drastike trajektoren e saj.

Raketa kineze jashtë kontrollit pritet të bjerë në

Oqeani është hapësira më e mundshme

Për momentin, oqeani mbetet basti më i sigurt se ku do të bien mbeturinat, sepse zë pjesën më të madhe të sipërfaqes së Tokës. "Nëse doni të vini bast se ku do të ulet diçka në Tokë, vini bast për Paqësorin, sepse Paqësori është pjesa më e madhe e Tokës. Është kaq e thjeshtë", shpjegoi Jonathan McDowell, një astrofizikan në Qendrën e Astrofizikës në Universitetin e Harvardit.

Atëherë pse po flitet kaq shumë për Long March 5B?

Kur objektet - qoftë natyrore ose artificiale - bien nëpër atmosferën e Tokës, hasin ajër gjithnjë e më të dendur, i cili shkakton fërkime dhe shpesh i ndan ato veç e veç. 22 tonë, pjesa kryesore e raketës është mjaft e madhe sa që nuk ka të ngjarë të shkatërrohet plotësisht. Por sasia e mbeturinave që mund të godasin Tokën është e vështirë të parashikohet dhe varet nga forma, masa, materialet dhe faktorët e tjerë të anijes.

Ka ndonjë ligj në lidhje me këtë?

Objektet vazhdimisht bien nga orbita, megjithëse shumica e tyre digjen në atmosferën e Tokës përpara se të kenë një shans të vogël që të ndikojnë në sipërfaqe.

Në përgjithësi, pyetjeve në lidhje me atë që lejohet të bëhet në hapësirën e jashtme dhe kush është përgjegjës nëse diçka shkon keq, marrin përgjigje në dy dokumente: Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967 dhe Konventa e Përgjegjësisë Hapësinore e vitit 1972. 

Nëse shkaktohen dëme, që nuk ka shumë të ngjarë, shtetet mund t’i kërkojnë Kinës të mbajë përgjegjësi.

Përfundimisht, a duhet të shqetësoheni?

Për veten? Jo. Shanset që mbeturinat të bien kudo afër jush janë jashtëzakonisht të vogla. Me shumë gjasa, raketa nuk do të godasë as një masë toke. Oqeanet mbulojnë pjesën dërrmuese të Tokës dhe nëse vendosni bast se ku do të bien copat, vini bast për Oqeanin Paqësor.

Burimet: CNN, National Geographic