KORONAVIRUS

Lëvizja me orar dhe mbajtja e maskës: Sa gjasa ka të lehtësohen masat anti-Covid

Shkruar nga Anabel

10 Maj 2021

Lëvizja me orar dhe mbajtja e maskës: Sa gjasa ka të

Me rritjen e fushatave të vaksinimit, në një pjesë të mirë të vendeve kanë nisur lehtësimi i masave të ndërmarra gjatë kohës kur situata epidemiologjike po përkeqësohej. Mirëpo në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz po vaksinohen dhe të tjerë fitojnë imunitet ndaj Covid, mbajtja e maskave është një temë e diskutueshme.

I pyetur të dielën në ABC News, kreu i Instituti Kombëtar të SHBA-së për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive dhe këshilltari kryesor mjekësor i presidentit, u shpreh se sa më shumë njerëz te vaksinohen, aq më shumë do të lehtësohen masat.

Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e lehtësoi udhëzimin muajin e kaluar për mbajtjen e maskave në ambiente të jashtme, por prapë këshillon si njerëzit e vaksinuar ashtu edhe të pa vaksinuar që të mbajnë ende maska në hapësira të brendshme publike, të tilla si një qendër tregtare, kinema ose muze.

“Ne duhet të fillojmë të jemi më tolerant, pasi shumë njerëz po vaksinohen,” u shpreh Dr. Fauci.

Të dielën në "Face the Nation" në CBS, Dr. Scott Gottlieb, ish-komisioner i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave tha që udhëzimet për mbajtjen e maskës duhet të lehtësohen tani që rreziku i Covid po bie.

"Shtetet ku prevalenca është e ulët, normat e vaksinimit janë të larta dhe ndodhin testime, mendoj se mund të fillojmë heqjen e këtyre kufizimeve edhe për ambientet e brendshme.”

Në një njoftim të datës 7 maj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e Covid.

“Vendi ynë, bazuar në të dhënat epidemiologjike, ka dalë nga zona e kuqe, pra nga zona e riskut së Covid, krahasur me vendet e tjera, qoftë të rajonit dhe qoftë të Europës. Kjo falë masave të shënjestruara dhe efekteve të vaksinimit që, sipas ekspertëve të shëndetit publik, po fillojnë të ndihen”, tha Manastirliu.

Manastirliu bëri me dije se vendi ynë ka një rënie të numrit të pacientëvë në spitale si edhe një rënie të infektimeve. Në përditësimin e masave më 5 maj, Komiteti Teknik i Ekspertëve hoqi karantinën 14 ditore për ata që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia dhe lejoi hapjen e auditoreve të universiteteve.

Masat për orarin lëvizjes së lirë (6:00-22:00) dhe mbajtjen e maskës nuk ndryshuan deri në një moment të dytë. Mirëpo nisur nga situata e qëndrueshme në vend, ka shumë gjasa që të lehtësohen.

Lëvizja me orar dhe mbajtja e maskës: Sa gjasa ka të