KORONAVIRUS

Verë e qetë dhe mundësia për lehtësim masash: 'Më e keqja ka kaluar'

Shkruar nga Anabel

12 Maj 2021

Verë e qetë dhe mundësia për lehtësim masash:

Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, kanë nisur të ndihen pasojat e para të grumbullimeve të organizuara gjatë fushatës zgjedhore. 

Brataj, tha për Abc News se është vënë re një rritje e lehtë, por sidoqoftë situata është nën kontroll.

“ Ka një rritje të vogël, sot janë rreth 14 shtrime midis spitaleve Covid të kryeqyteti dhe atyre rajonale. Por qëndrimi është më i shkurtër dhe korrespondon me atë numër të ulët që rezulton akoma në spitale."

Pavarësisht kësaj, sipas mjekut më e keqja ka kaluar. 

“Kujdesi duhet të jetë dhe monitorimi vazhdon çdo ditë. Sidomos nga 15-20 maji do të jetë në kontroll për arsye të grumbullimit të njerëzve në fushata elektorale."- vazhdon ai, duke shtuar se imunizimi natyral dhe procesi i vaksinimit kanë bërë që muajt më të vështirë t'i lëmë pas, për të shkuar drejt një vere "më të lirë."

“Po vlerësohen të gjitha masat dhe kuptohet që janë paralele dhe graduale. Sa më shumë të vaksinuar të kemi aq më shpejt do të shkojmë drejt eliminimit të masave që janë, kuptohet një nga një. Maskat, oraret, ora policore, aktivitetet e ndryshme, bizneset, lokalet, festat do të shihen të gjitha me radhë."- përfundon Brataj, duke theksuar se Komiteti i Teknikëve është duke shqyrtuar mundësinë e lirimit të masave.

Verë e qetë dhe mundësia për lehtësim masash: