Eurovizioni i këtij viti është ndryshe për një arsye të thjeshtë: është konkursi i të gjithëve. Në një komunikim për Euronews, Paul Jordan, ekspert i festivalit, u shpreh se nuk ka një fitues specifik.
Jordan është një fytyrë e njohur e televizionit rreth kohës së Eurovision, i cili jeton në Londër dhe është shfaqur vazhdimisht në BBC Breakfast, Sky News, BBC World, Five News si edhe në dokumentarin e vitit 2011, “The Secret History of Eurovision” (Historia e fshehtë e Eurovizionit). Ai ka punuar në prapaskenën e festivalit si pjesë e ekipit të komunikimit, e ka ndjekur që prej fillimit dhe jo më kot njihet si Dr. Eurovizion.
Bastet online shpallin fituese Italinë, Francën ose Maltën, por Dr. Eurovizion thotë se zaret nuk janë hedhur ende.
“Është e vështirë të parashikohet sepse është një vit i hapur...nuk ka një fitues të jashtëzakonshëm,” tha ai. “Do të jetë interesante që të shohim se për kë do të votojë juria në krahasim me publikun.
“Në të vërtetë është konkursi i të gjithëve. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj që është kaq i paparashikueshëm: mund të jetë një vend që merr 6 ose 7 pikë gjatë gjithë festivalit dhe pastaj përfundon fitues,” tha ai.
Finalja e festivalit europian të këngës do të mbahet ditën e nesërme (e shtunë, 22 maj). Shqipëria, përfaqësuar nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma”, u kualifikua në finale.