Naomi Osaka njoftoi tërheqjen e saj nga Roland Garros një ditë pasi u gjobit me 15,000 dollarë nga French Open dhe u paralajmërua se mund të përballej me përjashtim nga turneu pas vendimit të saj për të mos qenë e pranishme gjatë konferencave për shtyp gjatë turneut.
Shën.red. French Open, i quajtur gjithashtu edhe Roland-Garros, është turneu i madh i tenisit i mbajtur gjatë dy javëve në Paris, gjithmonë në fund të majit.
Të mërkurën e kaluar, Naomi, 23 vjeç, publikoi një deklaratë që theksonte rëndësinë për të mos dhënë konferenca për shtyp. Në deklaratën e fundit, ajo njoftoi tërheqjen nga garat dhe u shpreh se do të largohej nga turneu në mënyrë që fokusi të kthehej te tenisi pas ditëve të vëmendjes dhe diskutimeve të përhapura.
"Kjo nuk është një situatë që e kam imagjinuar ose menduar ndonjëherë kur postova disa ditë më parë," shkroi Osaka në rrjete sociale. "Unë mendoj se tani gjëja më e mirë për turneun, lojtarët e tjerë dhe mirëqenien time është që të tërhiqem në mënyrë që të gjithë të përqendrohen te ndeshjet e tenisit që po zhvillohen në Paris.”
“Asnjëherë nuk kam dashur të shpërqëndroj dhe e pranoj që koha ime nuk ishte ideale dhe mesazhi im mund të kishte qenë më i qartë. Më e rëndësishmja, unë kurrë nuk do të banalizoja shëndetin mendor ose do ta përdorja këtë term shumë lehtë.”
Në deklaratën e saj të parë, Osaka tha se pritej të gjobitej dhe Gilles Moretton, presidenti i Federatës Franceze të Tenisit (FFT). Qasja e ashpër e federatës ndaj Naomi-t është kritikuar si një përgjigje e gabuar, duke e detyruar atë të zgjedhë midis rrezikimit të ndëshkimit ose daljes nëpër konferenca, gjë që i shton ankthin.
Katër herë fituesja e Grand Slam (term që i referohet katër ngjarjeve më të rëndësishme vjetore të tenisit në botë, Australian Open, French Open, Wimbledon dhe US Open), u shpreh se ajo ka vuajtur nga "periudha të gjata depresioni" që nga finalet e US Open 2018 kur mundi Serena Williams dhe pas fitores u përball me vëmendje të konsiderueshme mediatike.
"Kushdo që më njeh e di se jam introverte dhe kushdo që më ka parë në turne do të vërejë se unë shpesh mbaj kufje pasi kjo më ndihmon menaxhoj ankthin tim shoqëror," shkroi ajo.
Naomi e përfundoi deklaratën duke thënë se ajo vuante nga "valë të mëdha ankthi" para se të fliste me mediat. “Kështu që këtu në Paris unë tashmë ndihesha e pambrojtur dhe e shqetësuar, prandaj mendova se ishte më mirë të ushtroja vetë-kujdes dhe të anashkaloja konferencat për shtyp."
Dy orë pas njoftimit të Osaka-s, presidenti i Federatës Franceze të Tenisit, Moretton, zhvilloi një konferencë shtypi ku e quajti tërheqjen e Osaka-s "të pafat" dhe i uroi "shërim sa më të shpejtë të mundshëm". Ai u largua duke mos iu përgjigjur asnjë pyetjeje.
Kjo ngjarje tronditëse në Francë, ku një sportiste profesioniste flet hapur për shëndetin mendor dhe nuk merr përgjigjen që duhej të merrte nga organizatorët e një prej turneve më të rëndësishëm në botë, hapi shumë debat. Patjetër që nga konferencat për shtyp gjenerohen më shumë të ardhura, por çfarë sjell më shumë para jo detyrimisht është gjëja më e mirë që duhet të bëhet.
Njerëzit në internet theksojnë se bota ka harruar që sportistët janë para së gjithash njerëz dhe se shëndeti i tyre mendor ka rëndësi pavarësisht se kush jeni. Ka një qasje që i sheh këta si të zotë dhe të aftë të përballojnë çdo formë presioni, por ja që nuk janë. Deklarata e Naomi-t e tregoi shumë qartë.
Që pas njoftimit të saj, Naomi ka marrë mbështetje nga figura të shumta publike dhe njerëz të thjeshtë.