Shqipëria

Aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri: Çfarë duhet të mësojmë nga bota

Shkruar nga Anabel

28 Qershor 2021

Aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri: Çfarë duhet

Ngjarja e rëndë në autostradën Fier-Vlorë, ku si pasojë e një aksidenti ndërruan jetë dy prindërit dhe dy vajzat e tyre, pasuar nga një raport i Institutit të Statistikave (INSTAT), vendosi në qendër të vëmendjes sigurinë në rrugë dhe disa nga shkaqet se pse aksidentet rrugore në Shqipëri janë në shifra alarmante.

Çfarë thonë shifrat?

Bazuar në të dhënat e INSTAT, në pesë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 547 aksidente me pasojë 90 viktima. Muaji janar shënoi numrin më të madh ku në 125 aksidente të ndodhur në të gjithë vendin humbën jetën 22 persona, ndërsa 165 të tjerë u plagosën..

Referuar raportimeve (via Euronews Albania) në 80% të rasteve, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit dhe numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 28% të numrit të aksidenteve gjithsej.

Lexojmë mes shifrave

Arsyet e aksidenteve rrugore duken të ndryshme, ndonëse në pjesën më të madhe të rasteve, faji qëndron te drejtuesi i mjetit. Problemi duket kompleks dhe shkaqet janë të shumta. Për të pasqyruar më konkretisht disa nga specifikat kryesore të këtyre aksidenteve, po i referohemi një analize të viteve më parë, por e zbatueshme edhe në ditët e sotme, të Avni Ponarit, themelues dhe drejtor i përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria.

Sipas tij, bazuar edhe te eksperienca për më shumë se dy dekada në një industri që përfshin dhe sigurimin e makinës dhe merret ndër të tjera edhe me shkaqet e aksidenteve, ja pse ndodhin shumë aksidente në Shqipëri:

1 – Drejtimi i mjetit pa praktikën e duhur, drejtimi në moshë të madhe, humbja e reflekseve dhe kontrolli i mjetit.

2 –  Infrastruktura rrugore.

3 – Mjetet janë të tejpërdorura në rrugë të këqija.

4 – Mungesa e sinjalistikës në rrugët hyrëse e dalëse.

5 – Drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit. 

6 – Përdorimi multifunksional i rrugëve të makinave duke kaluar në to kamionë, vetura, lopë e dele, biçikleta dhe njerëz pa kriter.

7 – Gjithë sistemi rrugor në tërësi, sidomos në hapësirat e rrezikshme dhe mungesa e mbrojtëseve anësore të duhura.

8 – Vendosja e gomave të përdorura nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimi i gomave të njëjta si në dimër ashtu dhe në verë. 

9 – Mungesa e frikës ndaj ligjit.

Çfarë mund të bëhet?

Në një analizë të Bankës Botërore, shtimi i numrit të policëve në rrugë, kombinuar me kamerat fikse rrugore që monitorojnë shpejtësinë mesatare, ndihmon në parandalimin e aksidenteve.

Qasja e "sistemeve të sigurta" të Suedisë për shembull ndaj sigurisë rrugore mund të jetë një model që i vlen Shqipërisë. "Sistemet e sigurta" pranojnë që njerëzit do të bëjnë gabime dhe synojnë të mbrojnë trupin e njeriut nga pasojat e gabimit.

Kjo do të thotë, për shembull, ridizenjimi i rrugëve në mënyrë që të mos ndodhin ndikime të rënda, ose ndërtimi i barrierave në rrugë nga materiale si tel fleksibël.

Qasje të tjera përfshijnë rikonfigurimin e rrugëve për të ndarë korsitë e trafikut dhe për të parandaluar përplasjet ballë për ballë dhe ndërtimin e automjeteve me airbags që mbrojnë trupat e njerëzve gjatë goditjeve.

Ky sistem i Suedisë përfshin zbatimin e rreptë të ligjit për qarkullimin rrugor, rritjet e standardeve të automjeteve, shërbimet e shpëtimit, edukimin dhe fushatat ndërgjegjësuese.

Një shembull janë edhe rrugët që Suedia i quan 2+1: 2 korsi në një drejtim dhe një korsi në drejtimin tjetër, me pengesa mes tyre dhe me korsitë që ndërrohen herë pas here për të lejuar parakalimin në të dy drejtimet. Futja e këtyre modeleve shkaktoi një rënie mbi 90% të vdekjeve në rrugë.

Siç e lexuat më sipër, në pjesën më të madhe të aksidenteve të raportuara në Shqipëri, shkaku janë shoferët 25–34 vjeç, një grupmoshë e re që duket se preferon adrenalinën, nuk ka eksperiencë në drejtimin e mjetit ose i mungon praktika e duhur si pasojë e marrjes së patentës më shpejt kundrejt një shume parash.

Thënë kjo, sigurua në rrugë rritet vetëm kur njerëzit i binden kufirit të shpejtësisë, vendosin rripin e sigurimit, përdorin mjete të sigurta dhe kanë kryer praktikën e duhur.

studimet e fundit, në raport me numrin e popullsisë, Norvegjia ka numrin më të ulët të vdekjeve si pasojë e aksidenteve në rrugë dhe e gjitha si pasojë e një politike që thekson se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Arsye të tjera janë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe nxitja e bashkëpunimit të të gjitha nivelet qeverisëse dhe përfshirja e sektorit publik dhe privat.

Problemi në Shqipëri është shumë kompleks, sepse në disa raste shkaku është rruga, në disa raste makina e vjetër, herë tjetër shpejtësia e shoferit, patenta e siguruar me lekë, këmbësorët që ecin pa kriter etj. Problemi është kompeks, por i menaxhueshëm.

Askush nuk mund të pretendojë që të mos ndodhin më aksidente – prandaj quhen të tillë – por mund të ulet numri i tyre, ose të paktën numri i njerëzve që humbin jetën.