Kosova

Konfirmohen dy rastet e para me variantin Delta në Kosovë

Shkruar nga Anabel

30 Qershor 2021

Konfirmohen dy rastet e para me variantin Delta në Kosovë

Pas një analize të mostrave pozitive me Covid të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në Institutin e Virologjisë të Klinikës Universitare në Berlin, janë konfirmuar dy rastet e para me variantin Delta (B.1.617.2) të SARS-CoV-2.

“Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të rasteve.” – shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Varianti Delta u zbulua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, i cili sot është njëri prej varianteve më brengosës në rruzullin tokësor. Hulumtimet e gjertanishme sugjerojnë se mund të jetë varianti që përhapet më së shpejti edhe më ngjitës sesa Alpha (U.K/B.1.1.7),” shkruhet më tej.

Varianti Delta mund të përbëjë 90% të infeksioneve të reja me koronavirus në Europë deri në fund të gushtit, tha një javë më parë agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve.

Varianti është deklaruar "shqetësues" nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky variant është vlerësuar të jetë 40-60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, i zbuluar për herë të parë në Angli.